Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, kritikon kryeministrin, Albin Kurti, se rregulloren e BQK-së që ndalon përdorimin e dinarit për pagesa brenda Kosovës, e ka bërë temë në dialog.
Sipas Pajazitit, për shkak të qasjes së gabuar dhe populiste të Kurtit, çështjet e brendshme të Kosovës po bëhen temë në dialogun me Serbinë në Bruksel.
Në një intervistë për KosovaPress, Pajaziti thotë se veprimet e qeverisë të pakoordinuara me aleatët, po i kushtojnë shumë vendit.
Megjithëse nga ekzekutivi kanë thënë se nuk do të paraqiten në nivelin politik, në takimin e thirrur nga BE-ja, më 27 shkurt në Bruksel, Pajaziti deklaron se Qeveria s’ka bërë asnjë përpjekje kreative për ta trajtuar këtë çështje me partnerët ndërkombëtar në Kosovë.
“Po t’i lihej në dorë BQK-së ose po të mos përzihej qeveria me tendenca që të nxjerr këtë çështje me populizëm si një sukses të qeverisë, kjo do të zgjidhej më mirë. Qeveria s’ka bërë asnjë përpjekje kreative për ta trajtuar këtë çështje. Për më tepër e ka ngritur çështjen e dinarit si një çështje të dialogut. Kjo qeveri ka përgjegjësi të plotë që dinarin, e bëri temë të tillë, e cila po i kushton qeverisë dhe neve si vend. Këta sikur edhe herët të tjera, kanë hyrë në tema pa një marrëveshje me partnerët, ata që ne kemi pas vazhdimisht koordinim të plotë dhe pastaj tërheqja na ka kushtuar shumë”, shton ai.
Sipas tij, raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtar, veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shqetësuese. Vendimin për dinarin, Pajaziti e sheh të ndërlidhur edhe me tendencat, siç thotë për të zvarritur zbatimin e obligimeve në dialog, që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit, e arritur vitin e kaluar.
Në anën tjetër, duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja në Kosovë, ai thotë se PDK-ja është gati për të njëjtat dhe se ky vit mund të jetë elektoral. Bashkimi Evropian ka ftuar një takim më 27 shkurt në Bruksel, mes palës kosovare dhe asaj serbe për të diskutuar, mes tjerash edhe për rregulloren e BQK-së.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se nuk do të marrin pjesë në këtë takim, po e ka lënë të nënkuptohet se zyrtarë teknik, të nivelit më të ulët, mund të marrin pjesë.
Top Channel