“Gjyqet e kafeve” në një botim të vetëm/ Dënimi i Nexhmije Hoxhës: 9 vjet burg për abuzime me dreka e darka, i bëri dhurata mjekëve për trajtimin jashtë vendit

23/02/2024 16:50

Gjyqet në demokraci të zyrtarëve të lartë të diktaturës komuniste në Shqipëri janë përmbledhur në një botim që hedh dritë mbi ngjarje të debatuara në vitet 1990, por të lëna sot në harresë.

Ato njihen gjerësisht si “Gjyqet e Kafeve”, ku nomenklatura u dënua për abuzime të vogla dhe jo për krime politike. Dokumentet e përfshirë në këtë libër e dëshmojnë këtë, por tregojnë edhe përpjekjet e drejtësisë së re për t’i dënuar përgjegjësit e diktaturës. Por ndërsa të përndjekurit politikë pritën një “Nuremberg”, një gjykim të qartë për persekutorët, të cilët ishin përgjegjës për dhjetëra mijëra të burgosur politikë, familje të internuara dhe mijëra të vrarë e të zhdukur – kjo nuk ndodhi.

Autorët Jonila Godole, Celo Hoxha dhe Kastriot Dervishi së bashku me Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) ka sjellë botimin “Gjyqet ndaj nomenklaturës komuniste (1993-1996)”, ku janë përfshirë gjyqet më të rëndësishme në historinë e drejtësisë shqiptare me 35 persona të gjykuar.

Drejtuesit më të lartë regjimit komunist, njerëzit më të pushtetshëm në Shqipëri për gjysmë shekulli, u gjykuan dhe dënuan për krime të kryera ndaj popullit të tyre, të cilin e sunduan përmes dhunës dhe terrorit.

Mes personave që u dënuan ishin: Kryetari i PPSH-së, Ramiz Alia, personi që zëvendësoi Enver Hoxhën më 1985;  e veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha, e cila kishte qenë për një kohë të gjatë kryetare Frontit Demokratik, organizata më e pushtetshme pas PPSH-së; Kryeministri dhe ministrat e brendshëm të kohës, të mbetur ende gjallë; anëtarë të Byrosë Politike, organi më i lartë i KQ të PPSH-së, ministra, zëvendësministra, gjykatës e prokurorë, dhe zyrtarë të niveleve të tjera të larta.

“Të deklarojë fajtore të pandehurën Nexhmije Hoxha për veprën penale të përvetësimit të pasurisë shtetërore dhe në bazë të nenit 62, 31/d të Kodi Penal, e dënon me 9 (nëntë) vjet heqje lirie. Pushimin e gjykimit të çështjes për të pandehurën Nexhmije Hoxha për krimin e shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 106 të Kodit Penal, sepse prokurori i çështjes hoqi dorë nga kjo akuzë. Vuajtja e dënimit për të pandehurën Nexhmije Hoxha fillon nga data e arrestimit 4.12.1991. E pandehura akuzohet se ka shpenzuar 25,553 lekë, që kanë të bëjnë me kuotën ditore 3 lekë, e shpenzuar prej saj dhe personave që sipas rastit e kanë shoqëruar; 6,439 lekë që përfshijnë 3,2 lekë në ditë të papaguar për periudhën e pushimeve; për shumën 143,290 lekë që përfaqëson diferencën në çmim të mallrave të blera me valutë në dorë; 25,051 lekë të shpenzuara për dhuratat që u ka shpënë mjekëve në dy raste kur ka dalë për kurim jashtë shtetit në vitet 1986 dhe 1987, dhe 52,160 lekë që është vlera e barnave mjeksore të përdorura prej saj dhe pjesëtarëve të familjes. Pra, akuzohet se ka përfituar shumën 746,192 lekë“-ishte vendimi i dënimit për Nexhmije Hoxhën.

Top Channel