Inside Story/ Rrëfimi rrëqethës i dëshmitares: Nëna futi foshnjën e gjallë në gropë t’i shpëtonte torturave zerviste

01/05/2024 22:35

Pas 40 ditësh të palarë, pa rroba dhe që flinin në dysheme i çuan tek Pusi i Filatit dhe i pyetën ku doni të shkoni: në Turqi apo Shqipëri. Të gjithë thanë: Shqipëri!

‘Prej andej deri në fshatin më të fundit që futet në Shqipëri ishte një përrua i madh, Kosk quhej, na ndaluan dhe na ndanë nënat veç kalamajtë veç: dhe u thoshin nënave t’iu vrasim ju para apo fëmijët. Atje ishte bërë një kasaphanë, ishte dimër dhe vetëtinte dhe ne shikonim rrugën me vetëtimën’ u shpreh Hedo Nexhipi, e mbijetuar e masakrës së Çamërisë.

Duke qenë se ishte dimër, ftohtë dhe ishin shumë të lodhur një pjesë e madhe qëndruan. Kjo shënoi edhe fundin e tmerrshëm të udhëtimit të tyre, pasi i vranë gjatë natës ata që mbetën brenda kufirit grek.

‘Kush qe i zoti ikën, dhe erdhën për Shqipëri, ata që nuk erdhën u kthyen në fshatin Koskë, ndezën zjarr atje i vrau dhe i theri të gjithë, i torturoi. Nuk la njeri të gjallë. I kam dëgjuar me vëshët e mi. Mbyllnim veshët kur iknim që ulërinin gratë si lopa, nga torturat’ u shpreh Hedo Nexhipi, e mbijetuar e masakrës së Çamërisë.

Edhe në këtë udhëtim miku nga Filati i ndiqte nga pas, dhe i ndaloi të ktheheshin sërish në Filat, por i shoqëroi dhe I mbrojti deri në fshatin Vërvë. Gjatë këtij rrugëtimi dramat që luhen janë përtej çdo imagjinate.

‘Mbaj mend një nënë duke ikur kishte tre fëmijë, dy të vegjël për dore, dhe një kopanec të vogël dy a tre muajsh. E ka marrë atë fëmijë, ka hapur një gropë dhe e ka futur kopanecin të gjallë. Lëre i thanë gratë, se ai do të vdesë por shpëto këto dy të tjerët. Ajo vuri ulërimën dhe tha ç’bëra me vajzën kështu.

Kur vjen një grua dhe i thotë ta solla unë, ajo çka bërë moj vajzë duke qarë’ u shpreh Hedo Nexhipi, e mbijetuar e masakrës së Çamërisë.

Top Channel