Inside Story/ Pajisje për muze, tek Trauma aparati me ‘rreze X’ prodhim i ’98-ës, spitali: Shërbimi nuk ka munguar!
11 spitale rajonale në qendrat e qarqeve dhe 24 spitale bashkiake. Prej fillimit të vitit 2024 ka nisur edhe zbatimi i “kartës së autonomisë menaxheriale”, fillimisht për pesë spitale, pas pilotimit në spitalin memorial të Fierit.
“Nuk mund të mbahen spitale për të pasur njerëz të punësuar, nëse nuk i plotësojnë standardet dhe të kthehen në shërbime ditore, duhet një rishpërndarje që tu përgjigjen sipas standardeve shërbimit ndaj pacientëve” u shpreh Eglantina Bardhi, drejtore ekzekutive/TFL.
Kjo arkitekturë garanton një përqendrim nga qendra në periferi jo vetëm të shërbimeve që ofrohet por edhe në teknologji: pajisjet e rënda diagnostike e terapeutike janë të përqendruara në Tiranë dhe, pjesërisht, në spitalet rajonale. Ndërkohë, spitalet bashkiake mbeten me pajisje bazë, shpesh të trashëguara ose të ardhura nga donacione…
Si pasojë e kësaj strukture spitalet bashkiake dhe ato rajonale pothuajse janë braktisur duke ofruar shërbime të reduktuara. Kjo ka sjellë që popullata ta kërkojë shërbimin edhe jashtë kufijve.
Dramën e braktisjes së spitaleve publike e ilustron më së miri edhe fakti që gratë e zonave periferike zgjedhin të sjellin në jetë fëmijët e tyre në spitalet e Kosovës.
“Përgjatë kësaj periudhe ne kemi regjistruar 42 lindje. Do tu japim edhe nënshtetësi kosovare” u shpreh Hilmi Shala, drejtor i spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë.
Krejt ndryshe nga kjo panoramë, në ambientet e spitalit të Hasit, vetëm 30 minuta nga ai i Gjakovës, mbizotëron qetësia. I kthyer në spital ditor që prej vitit 2025, pavarësisht protestave të stafit mjekësor, shërbimet që ofron janë tejet të reduktuara.
Me gjithë investimet minimale që duket se i përkasin kohës së monizmit, stafi është përpjekur ta mirëmbajë duke u kujdesur që së paku higjiena të jetë në maksimum.
Valbona Peka ka punuar si mami’ prej më shumë se 4 dekadash në këtë spital, i cili tashmë pret vetëm lindjet e thjeshta, duke reduktuar gamën e shërbimeve që ofrohen…si pasojë edhe lindjet kanë rëndë ndjeshëm. Nga disa qindra lindje që numëroheshin në vitet 80-të, aktualisht ky spital e mbyll vitin me lindje që numërohen me gishtat e dorës.
“Kulmi i lindjeve ka qenë në vitet 80-të, kemi pasur deri në 650 lindje në vit, tani vetëm 6, nëse kanë komplikime ne nuk i mbajmë”, tha ajo.
Ajo thotë se gjithmonë kanë frikë se çfarë mund të sjellë një lindje, pasi gjithmonë ekziston rreziku i komplikacioneve. Kjo mungesë kapacitetesh, i detyron nënat e reja t’i drejtohen spitalit të Gjakovës.
“Ka shumë rrezik, mund të ndodhë një komplikacion”, u shpreh Valbona Peka, kryeinfermiere në spitalin e Hasit.
Problemi nuk janë vetëm infrastruktura shëndetësore. Edhe burimet njerëzore po zbrazin spitalet periferike… Në Has, nuk gjetëm mjek nga Shqipëria.
Top Channel