Inside Story/ Pajisje për muze, tek Trauma aparati me ‘rreze X’ prodhim i ’98-ës, spitali: Shërbimi nuk ka munguar!

11/11/2026 22:15

Shqipëria shpenzon çdo vit miliona euro në pajisje mjekësore dhe diagnostikuese por sistemi shëndetësor nuk e di me saktësi se çfarë pajisjesh mjekësore zotërojnë, sa të vjetra janë ato dhe në çfarë gjendjeje ndodhen.

“Kjo ka qenë një plagë e vazhdueshme aparatura të rëndësishme që shpeshherë mbeten jashtë funksioni, madje edhe kobalto terapia që do të thotë se këtu të kemi të bëjmë jo vetëm me keqmenaxhim apo korrupsion, por shpeshherë janë edhe të qëllimshme. Çdo spital ka kontrata për mirëmbajtjen por ato nuk zbatohen, padyshim ka luftë mes privatit dhe publikut, ku zyrtarët publikë po i shërbejnë privatit”, u shpreh Eglantina Bardhi, Drejtore Ekzekutive.

Zyrtarisht Shqipëria hodhi hapin e parë drejt inventarizimit të pajisjeve mjekësore, rreth dy dekada më parë. Në vitin 2005 u ndërtua sistemi CLINGO, ku të gjithë spitalet dhe qendrat shëndetësore në vend do të hedhin të dhënat për setin e aparaturave që dispononin, moshën e tyre dhe në çfarë gjendje janë. Dy dekada më pas ky proces ka dështuar.

Sipas të dhënave të Kontrollit të lartë të shtetit që auditoi eficiencën e aparaturave mjekësore në vitin 2024 sistemi “nuk është efektiv dhe nuk kryen funksionin si sistem kombëtar i inventarizimit të pajisjeve mjekësore”. Më konkretisht QSUT kishte kryer hedhjen e fundit të të dhënave më 30 prill 2020, Sanatoriumi më 18 dhjetor 2018, ndërsa urdhri i ministrit i vitit 2014 “Për inventarizimin e pajisjeve mjekësore” nuk ka gjetur zbatim. Kjo shpjegon edhe amullinë apo bllokimet e shpeshta të seancave diagostikuese të pacientëve për sëmundje të rënda…

“Nuk kemi regjistër që të evidentojë numrin e pajisjeve mjekësore, kohën kur duhet të mirëmbajtje, kohën kur nuk ka funksionuar dhe procedurën e zgjidhjesh. Kjo do t’i shërbente vendimmarrjes për t’a pasur në konsideratë për të kryer planifikimet për shpenzimet e ardhshme në sistemin publik. Nuk kemi qasje vendimmarrjes të bazuar mbi evidenca të sakta”, u shpreh Qamil Dika, pedagog i Organizmit Shëndetësor.

Por edhe aty ku ekzistojnë të dhënat, tabloja është alarmante.

Në një klinikë publike shqiptare, ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë gjetën në vitin 2018 një aparat me rreze X të prodhuar në vitin 1918 sipas raportit të mbajtur. Pajisja e denjë për muze, ishte ende në përdorim, një shekull pas prodhimit të saj…

Kjo nuk ishte e vetmja aparaturë mjekësore, e denjë për muze, por që ende përdoret në sistemin publik shqiptar.

Në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës vazhdon të funksionojë një tjetër aparat analog me rreze X, i vitit 1998. Vetë spitali i Traumës pranon se këtë aparaturë e kanë marrë në vitin 2017 nëpërmjet kredisë italiane dhe pavarësisht moshës, ka funksionuar normalisht.

Megjithatë spitali pranon se disa nga pajisjet nuk kanë funksionuar përkohësisht, por e lidhin këtë me kushtet infrastrukturore të papërshtatshme dhe të pasigurta për kryerjen e ekzaminimeve të pacientëve.

“Sqarojmë se në asnjë rast nuk ka munguar ofrimi i shërbimit ndaj pacientëve në Spitalin Universitar të Traumës. Shërbimet diagnostikuese kanë vijuar në mënyrë të pandërprerë në ambiente alternative nga aparatura alternative”, Spitali i Traumës.

Top Channel