Inside Story/ Miliona euro tendera me flamuj të kuq për pajisjet mjekësore, a u la qëllimisht në degradim enti publik i mirëmbajtjes?!
Sa i përket flotës së aparaturave QSUT thotë se administron mbi 1,200 pajisje mjekësore, nga të cilat rreth 600 janë të përfshira në kontrata mirëmbajtjeje. Pjesa tjetër mbulohet nëpërmjet kapaciteteve teknike të stafit të inxhinierisë klinike. Megjithatë inventari ekonomik përfshin rreth 4,000 artikuj pajisjesh, duke filluar nga pajisjet e thjeshta ndihmëse deri te pajisjet e teknologjisë së avancuar, si CT dhe MRI.
“Këto dy shifra përfaqësojnë kategori të ndryshme inventarizimi dhe nuk janë të krahasueshme drejtpërdrejt”, QSUT.
Sipas këtij spitali në dhjetor 2025 ka nisur procesi i vlerësimit teknik dhe ekonomik për nxjerrjen jashtë përdorimit të rreth 2,000 pajisjeve të amortizuara ose të papërdorshme.
“Investimet e realizuara dhe ato të planifikuara, së bashku me përmirësimin e proceseve të mirëmbajtjes dhe menaxhimit të inventarit, synojnë rritjen e sigurisë, cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve spitalore, në funksion të nevojave të pacientëve”, QSUT.
Shintigrafia e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” nuk punonte që prej marsit 2020, për shkak të mungesës së lëndës radioaktive, prokurimi i së cilës ishte përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë. Por, ne nuk morëm një përgjigje zyrtare nga institucioni deri në transmetimin e dokumentarit…
“Është një situatë e cila shkarkohet në kurriz të qytetarëve shqiptarë, të cilët përballen me shpenzime financiare shpeshherë të papërballueshme për familjet shqiptare. Shpesh pasojat janë katastrofike në dëm të shëndetit dhe jetës së tyre, çka është pastaj një aspekt tepër i trishtë për të cilin shteti shqiptar do të duhej të mbante përgjegjësitë e veta dhe të garantonte minimalisht këto shërbime”, u shpreh Bardh Spahia, kryetar i Komisionit të Shëndetësisë.
Top Channel