Inside Story/ ‘E goditi me hanxhar në kokë’, i mbijetuari rrëfen pas 80 vitesh masakrën ndaj çamëve të Filatit

01/05/2024 22:18

Sot 86 vjeç, Muharrem Mezani është ndër të paktët dëshmitarë të mbetur gjallë që pa me sytë e tij genocidin ndaj çamëve nga forcat zerviste greke 80 vite më parë. Asokohe vetëm 6 vjeç ai ka mbërritur në fshatrat e Fierit, pas një udhëtimi sfilitës në këmbë nga Çamëria.

Në verën e vitit 1944, shumica e banorëve të fshatit Mazrek në komunën e Margëllicit, sot me emrin e ndryshuar Margariti, sapo dëgjuan për masakrat mbi shqiptarët e Paramithisë, u nisën drejt Shqipërisë.

Pa marrë asgjë me vete udhëtuan deri në Igumenicë në këmbë. Kur mbërritën në fshatin Sajavë, doli fjala se mund të ktheheshin sërish në Çamëri. Dhe ashtu bënë. U kthyen në Filat ku qëndruan dy muaj, pa e ditur se do të ishin dëshmitarë të një prej masakrave më të tmerrshme, ndaj popullsisë civile. Ishte shtator 1944!

Filati, një qytet me popullsi shqiptare në Greqinë e Veriut do të përjetonte terror. Me rreth 1300 të vrarë e të maskraruar, shumë shqiptarë ranë pre e premtimeve se nuk do ti prekte askush.

“12:00 të natës na shkuli komplet, hyri nëpër shtëpia dhe me të dalë të Filatit është një si shesh, aty na mblodhi dhe ne ishim të vegjël na mbante nëna përdore. Në të dalë të Filatit janë disa kojdhele i themi neve, kthesa, ata kishin dalë grekët kishin zënë dy anët e xhadesë me automatikë’ u shpreh Muharrem Mezani, i mbijetuar i masakrës së Çamërisë.

Ndërsa popullsia shqiptare po ikte e tmerruar, pa mundur të marrë asgjë me vete, në dy anët e rrugëve të Filatit ishin rreshtuar ushtarë me armë që kanë kryer disa nga vrasjet më makabre mbi popullsinë civile.

‘Sa u futëm tek kthesa e dytë, pashë atje një grek që i gjuajti në mes të kokës njërit që ishte ngarkuar me rrobat në kurriz. Pastaj një grek ndaloi babanë ne bërtitëm, në këtë kohë na mori nëna dhe babi i tha merr djemtë dhe ik mos pyet për mua, ne ik e vështro mbrapa dhe menduam se e kishin vrarë.

Pastaj e mbaj mend mend ishte një grek një ushtar të gjatë kishte një hanxhar të verdhë 2 metra, ai hoqi kapelën dhe i ra në mes të kokës pam, se i vogli mban mend. Po të shikoje me atë therje që bë në Filat, i vogli mban mend, i mbaj mend nja tre katër kufoma përtokë’ u shpreh Muharrem Mezani, i mbijetuar i masakrës së Çamërisë.

Top Channel