Adoleshentja e varrosur në bodrumin në New York identifikohet nga unaza e gdhendur, dy dekada pas gjetjes (fotot)

01/05/2024 21:47

Në shkurt 2003 punonjës ndërtimi në një bodrum në Manhattan bënë zbulimin makabër të skeletit të një adoleshenteje të mbështjellë me qilim që ishte varrosur në një gropë betoni.

Viktima ishte lidhur me tela elektrikë, dhe një unazë e gdhendur me inicialet “PMcG” u gjet në mbetjet e saj, së bashku me një monedhë të vitit 1969 dhe një ushtar plastik lodër, thotë detektivi i çështjes Ryan Glas, i policisë së New York.

Tashmë dy dekada në vonë viktima e mbiquajtur “Midtown Jane Doe” është identifikuar si 16 vjeçarja Patricia Kathleen McGlone, e cila jetonte dikur në Brooklyn.

Hetuesit besojnë se Patricia është rrëmbyer e vrarë në fund të 1969 ose fillimin e 1970 dhe më pas varrosur në bodrumin e ndërtesës. Ata përcaktuan gjithashtu identitetin e prindërve të saj dhe adresën e tyre në Brooklyn, si dhe informacione për vitet e fundit të jetës së vajzës fatkeqe.

Patricia besohet se është vrarë dhe varrosur në bodrumin e një diskoteke të quajtur ‘The Scene’, e cila drejtohej nga sipërmarrësi Steve Paul, dhe në vitet 1960 ishte një vend i njohur për jetën e natës, duke pritur muzikantë nga grupet më të famshme.

Nuk ka ende lidhje zyrtare të vrasjes me klubin e famshëm të natës.

Në hetimet e tyre detektivët zbuluan se viktima ishte një fëmijë i vetëm, i lindur në 20 prill, 1953 nga Bernard McGlone e Patricia Gilligan.

Prindërit e saj kanë vdekur tashmë, por hetuesit zbuluan se ajo jetonte në Brooklyn në New York, dhe kishte frekuentuar një shkollë katolike aty.

Hetuesit kërkuan në të dhënat e saj të shkollës së mesme dhe pane se ishte regjistruar mes viteve 1968 e 1969, por nuk kishte qenë në shumicën e mësimeve.

“Duke marrë në konsideratë moshën dhe faktin që ishte katolike dhe gjithashtu e martuar, që asokohe ishte e zakonshme, ne besojmë se ajo mund të ketë qenë shtatzënë. Pra në kohën e saj ajo mund të jetë konsideruar si ‘person i refuzuar’ ose ndoshta do të jepte të birin për adoptim”, thotë detektivi Glas.

Ai shton se bashkëshorti i të ndjerës kishte lidhje me ndërtesën ku u gjet trupi, por nuk dha më shumë informacione për këtë, duke thënë se ‘hetimet vijojnë’.

Glas tha se policia ka identifikuar ish-bashkëshortin e saj dhe se po përpiqet të marrë më shumë detaje mbi jetën e vajzës asokohe.

Policia shpreson që tashmë të afërmit e Patricia të bëjnë përpara dhe të tregojnë informacione që mund të ndihmojnë detektivët të zbulojnë atë që ka ndodhur.

“Çdo gjë që ata mund të kujtojnë prej atëherë, dikë që jetonte në ndërtesë, ose që mund të japë informacion mbi të apo mbi personin me të cilin ishte martuar, çdo informacion na vlen,” tha Glas.

“Unë vetë jam baba i tre vajzave, dhe vetëm mund të imagjinoj fëmijërinë që ajo ka kaluar, që më pas të përfundonte e vrarë”.

Tani që identiteti i Patricia është i njohur, Glas shton se policia e ka të qartë objektivin e radhës, të zbulojë kush e vrau atë dhe motivin përse. /CNN/

FOTO GALERI
1/5
Rindertim kompjuterik i imazhit te viktimes sipas hetimeve

Top Channel