PS nis fushatën e anëtarësimeve të reja, Veliaj: Jemi e vetmja skuadër që u jep mundësi të rinjve

21/02/2024 16:58

Partia Socialiste e Tiranës ka nisur fushatën e anëtarësimeve të reja.

Nga njësia Nr.1 në kryeqytet, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Eduard Shalsi u dha kartën e anëtarësisë 100 të rinjve dhe u uroi atyre mirë se ardhjen në parti.

“Këta që bëjnë ekspertin nga kolltuku apo divani japin mend për çdo gjë dhe një nga gjërat që thonë është që: “Keni fituar tre herë, për çfarë e doni një fitore të katërt?”. Është si t’i thuash një kampioni: “Ke dalë tre herë kampion, pse do të dalësh për herë të katërt?!” Si t’i thuash Erkandit: “Ule një çikë peshën, që të fitojë edhe ndonjë tjetër”. Është si t’i thuash Luiza Gegës: “Ule një çikë vrapin, që të fitojë edhe ndonjë tjetër”. Kush është kampion meriton të jetë kampion tre herë, katër herë, pesë herë! Kur skuadra ka disiplinë prej kampioni, kur skuadra ka përbërje prej kampionësh, kur stërvitet çdo ditë, kur është gjithmonë e përgatitur, merr rezultate prej kampionësh. Ndaj, dua t’i uroj sot mirëseardhjen 100 anëtarëve tanë të rinj”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se kur PS është në krye të punëve, vendi përparon dhe bëhet më europian. “Kur drejtojnë ata të tjerët, vendi shkon poshtë e më poshtë, vendi vetëm varfërohet, shkon në konflikt. Ju kujtohet koha e piramidave, kur shumica e atyre që i kanë flokët e bardha këtu sot, humbën shtëpitë, humbën punët, humbën gjithë të ardhurat e tyre? Kur drejton PS-ja, lagja është më e mirë, qyteti është më i mirë, pronës i rritet vlera, Shqipëria e ka kokën më lart dhe është bërë më europiane. Dihet kush është familja që prodhon sherr në pallat dhe kush është familja qytetare që prodhon mirësi dhe dashuri. Ashtu edhe në politikë: dihet familja që i del Zot Shqipërisë, dihet familja që i vë flakën vendit. Sot ajo familja tjetër, të paktën nuk i vë dot flakën Shqipërisë; ata mund të zihen me njëri-tjetrin, mund të djegin shtëpinë e tyre, selinë e tyre, por sot nuk i bëjnë dot dëm Shqipërisë. Nga ana tjetër, PS mund të vazhdojë t‘i bëjë edhe mirë Shqipërisë, Njësisë 1, Tiranës sonë, qytetit tonë, bashkive të tjera, se është familja që rritet”, deklaroi ai.

Veliaj bëri thirrje për rritjen e anëtarësimeve në PS, si e vetmja skuadër që ka treguar se u ka dhënë mundësi të rinjve dhe të rejave. “Nëse do të lësh shenjë, nëse do të bësh emër, nëse do që njerëzit të thonë se kur ai çuni dhe goca u morën me partinë tonë, morën vendime të mira për këtë lagje për këtë komunitet, për këtë bashki dhe për këtë vend, atëherë anëtarësohu në PS, si e vetmja forcë, e vetmja skuadër që i ka dhënë mundësinë të rinjve. Te PS i jepet shansi dhe atij që shiste fiq, edhe atij që është çuni i askujt ose goca e askujt, pavarësisht mbiemrit, pavarësisht prejardhjes tënde, pavarësisht teserës, i jepet shansi një çuni dhe një goce që t’ia dalë me sukses këtu në Tiranën tonë të madhe me 1 milion ëndrra, me 1 milion ambicie, por edhe me 1 milion mundësi”, deklaroi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA