“Pazari politik Rama-Meloni”/ Curri në “Top Story”: Nuk ishte ide e mirë të sjellin vetëm burra emigrantë…

08/02/2024 23:12

Analisti Arjan Curri foli në “Top Story” për marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.

Ai u shpreh se e sheh këtë gjë si pazar politik, ku nuk e sheh shumë pozitive ardhjen e mijëra afrikanë në Gjadër të Lezhës.

Ndër të tjera Curri shtoi se nuk e di nëse ky është një biznes i mirë apo do të na kthehet si bumerang.

“I shijoj të lidhura. I shikoj si pazar politik që kanë bërë palët me njëra-tjetrën. Në qoftë se Meloni ka shpëtuar emrin e saj në Itali, pas premtimit që dha në fushatën elektorale, për fluksin e emigrantëve. Rama nga ana tjetër, ka edhe ai një lloj përfitimi, ku u shet politikisht shqiptarëve arritjen për çështjen e pensioneve.

Mendimi im është nëse është një pazar i mirë apo jo dhe aq i mirë. Unë besoj se nuk është aq i mirë. Pse? Sepse të japësh një territor të vendit shqiptar për të sjellë mijëra afrikanë meshkuj të shëndetshëm. Çuditërisht ata ndahen nga gratë dhe fëmijët, ata mbahen atje (Itali).

Na vijnë një ushtri prej mijëra burrash dhe do të presin për 28 ditë, por mendoj se do të jenë edhe më shumë. Nuk e di nëse do të na sjellin përfitime. Nga ana tjetër unë mund të shkoj deri aty sa të them a është një biznes i mirë ky, apo çuditërisht do të na kthehen në një lloj bumerangu. As këtë nuk e di”, u shpreh analisti.

Top Channel