Tregu i hemodializës është i dominuar nga një oligopol mes dy kompanive, është shprehur Autoriteti i Konkurrencës, në përfundim të hetimeve për shërbimet spitalore në shtatorin e 2021-it.
Në përgjigjen e kthyer ndaj Top Channel, Autoriteti Konkurrencës ka vlerësuar se në Shqipëri ky shërbim ofrohet në pjesën dominuese të tregut nga vetëm dy spitale, “Spitali Amerikan” dhe “Hygeia”, të dyja në pronësi të “Balkan Alliance Healthcare”, shoqëri me seli në Holandë të përfaqësuara nga Klodian Allajbeu. Në këtë mënyrë konkurrenca dhe çmimet e drejta në këtë treg nuk ekzistojnë, ndërsa fondet publike majmin dy spitalet private.
Në kushtet kur kapacitetet në spitalet publike janë të zëna, FSDKSH ia ndan shërbimin e dializës, spitaleve private. Por në 90% të rasteve shërbimet i marrin vetëm Spitali Amerikan dhe Hygeia. Si ndodh kjo?
Nga një raport i KLSH, në shtatorin e 2023-it vërehet se 61.8% e shërbimeve të dializës bëhen në spitale private. Nga 8 spitale private që FSDKSH ka kontratë, 7 prej tyre janë pjesë e Spitalit Amerikan dhe Hygeia. Ndërkohë 32.7% e shërbimeve të tjera të dializës ofrohen nga koncesionari “DiaVita”, aksionet e së cilës zotëroheshin nga Spitali Amerikan. Kjo konfirmohet dhe në një tjetër hetim të AK të datës 4 tetor 2018, ku thuhet shprehimisht se “për koncesionin e dializës Spitali Amerikan është përfituesi më i madh fondeve buxhetore për këtë shërbim dhe nëpërmjet shoqërisë DiaVita SHPK, e cila zotërohet në 15% të kuotave nga Spitali Amerikan.”
Nga 2018-ta institucionet shtetërore nuk reflektuan që të sjellin konkurrencë të drejtë në treg. Ajo çfarë ndryshoi ishte vetëm pronësia e shoqërisë koncesionare “Diavita”. Spitali Amerikan hoqi dorë nga aksionet dhe ato iu transferuan shoqërisë suedeze “Diaverum International AB”. Një dokumentar investigativ i “Inside Story” zbuloi se Klodian Shehi, administrator i kësaj kompanie është kunati i Klodian Allajbeut, përfaqësues i shoqërisë që zotëron Spitalin Amerikan dhe Hygeia.
Por, asgjë nuk përfundon këtu. KLSH thekson në raportin e saj që ka bërë në institucionin e FSKDSH-së në shtator të 2023-it evidenton se koncesionari i shërbimit të dializës “Diavita” paguhet nga shteti për shërbime të faturuara dhe jo për ato që ka kryer. Në këto kushte i ka shkaktuar një dëm buxhetit prej 955 mijë eurosh në vetëm një vit, për shërbime që nuk i ka kryer.
FSDKSH i është kërkuar ngritja e një grupi pune, për të negociuar me koncesionarin, që të paguhet vetëm për shërbimet e kryera, por asnjë veprim nuk është ndërmarrë nga institucioni shtetëror.
Në 2022, FSDKSH harxhoi gati 30 milionë euro për financimin e shërbimeve spitalore. Shuma është rritur me 40% nga 2016-ta, ndërsa përfituesi më të mëdhenj ka qenë pikërisht oligopoli i krijuar nga shoqëritë “Diaverum International” dhe “Balkan Alliance Healthcare” në pronësi të Klodian Allajbeut.
Top Channel