Zjarri masiv në Lushnjë, Brataj: Nuk ka raste djegiesh, po kontrollohet në banesa për të tjerë qytetarë

25/12/2023 18:31

Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, Skënder Brataj tha për mediat se asnjë pacient nuk rrezikon jetën nga zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë.

Ai theksoi se nuk ka asnjë rast të rëndë në spital apo raste djegiesh, por vetëm intoksikim për shkak të ekspozimit nga tymi.

“Një është në observim në këtë moment, nuk ka kode të kuqe, nuk rrezikon njeri jetën, thjesht intoksikime nga tymi, nuk ka djegie, më shumë se asfiksim, intoksikim, sepse nuk ka pasur asnjë rast me ndryshim të koshiencës apo pasoja të tjera. Nga informacioni që mora dhe nga zjarrfikësit janë tre godina, e fundit sepse po hyet në çdo derë pavarësisht përgjigjet ose jo njeri për të parë nëse ka akoma banorë, të gjitha shërbimet e urgjencës janë këtu, policia, organizimi ishte sipas ngjarjes, nuk besoj se do të ketë pasoja për pacientët që janë në spital, edhe po të ketë janë nën dispozion spitali i Fierit, Memoriali si dhe ai i djegieve në Tiranë, apo Nënë Tereza. Fëmijët dy ishin 14 vjeç, një 7 vjeç, ai 7 vjeç i cili po mbahet nën vëzhgim”, tha Brataj.

Dhjetëra qytetarë përjetuan momente tmerri kur një zjarr i rënë në katin e tretë të një qendre tregtare në Lushnjë u përhap me shpejtësi në apartamentet sipër tij.

Zjarrfikës, forcat RENEA dhe ato policore u angazhuan për disa orë me qëllim shuarjen e flakëve në pallatin 12 katësh dhe kërkimin për qytetarë të bllokuar në banesa.

Mbi 40 qytetarë të nxjerrë nga qendra tregtare dhe banesat e tyre, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Dyshimet e para për shkakun e zjarrit janë mbingarkesa e kondicionerëve, pasi qendra tregtare ishte e mbipopulluar prej festës së Krishtlindjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA