Debati për Kombëtaren/ Curri: Rama të lërë rehat çunat! Kundërshton Budini: Të mos gabojmë duke…

25/12/2023 22:20

Ngjarjet më të bujshme të vitit që po lemë pas janë bërë pjesë e diskutimeve këtë mbrëmje në “Top Story” me Grida Dumën.

Kualifikimi i Shqipërisë në “Euro 2024” është padyshim një nga zhvillimet më të rëndësishme të vitit 2023, në 20-vjetorin e Tifozave Kuq e Zi.

Me një vlerësim për arritjen e Kombëtares dhe kontributin e tifozerisë që e ka ndjekur skuadrën në këtë rrugëtim historik, analisti Arjan Curri nuk la pas as kritikat.

Tifozeria e Kombëtares është shuma e tifozerive të derbit në Shqipëri, u shpreh ai.

“Ata që shajnë njëri-tjetrin kur luan Tirona – Partizani për shembull dhe që bashkohen kur shohin Kombëtaren”, tha analisti, sipas të cilët politizimi i futbollit është një problem aktual. Rama po përpiqet edhe këtu të vjedhë vëmendjen dhe të bëjë protagonistit, shtoi ai.

“Edhe këtu, Rama hyn me xhelozitë e mëdha që në një injorim që njerëzit po i bëjnë politikës, Rama edhe aty shkon e vjedh famë. U vizaton bluza, u bën dedikime futbollistëve, kur shikon që ka ndriçime diejsh të tjerë, futet edhe i merr. Ai po merr. Të shkosh deri te dhomat e zhveshjeve, është pak e tepruar. Shfrytëzon tifozeritë. I ka bërë stadiumet e Kombëtares si mitingje. Më parë thoshin në stadium ‘Rama ik’, edhe ata i ka mposhtur. Bën mirë a keq? Mirë bën, nuk e di nëse unë do e bëja”.

Nga ana tjetër, pedagogia Belina Budini kundërshtoi Currin, duke kërkuar të mos politizohet sporti dhe konkretisht Kombëtarja e futbollit.

“Protagonizmi i Kombëtares është i lartë. Të mos bëjmë gabim duke e politizuar. Nuk kemi pse të shkojmë te figura e kryeministrit. Unë s’e kam vënë re këtë pjesë për shembull. Nuk shoh ndonjë fajësi të madhe. Është fitorja në vetvete që flet. Shohim panoramën te ekipi ku ka shqiptarë jo vetëm të Shqipërisë, çdo gjë flet vetë. Duhet të jemi krenarë për këtë pjesë. Unë flas për ata që shoh në fushë, jo ata jashtë fushe. Të lëmë Kombëtaren të bëjë një kompensim nga ajo që po ndodh në anën tjetër. Kombëtarja do të ishte më mirë të ishte e papolitizuar”.

Sipas Arjan Currit, kryeministri Edi Rama do të shoqërojë skuadrën në Kampionatin Evropian të Futbollit. I bëj thirrje Ramës t’i lërë rehat çunat.

“Ai ka prenotuar Migjenin, do të jetë në vendin e parë pas pilotit. Le ti bëjmë thirrje Ramës t’i lërë të qetë çunat”.

Top Channel