Ish-kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e kryesisë së PD-së u shpreh i bindur se nuk do të zbrapset, pavarësisht çdo sfide apo vështirësie.
Në kushtet e reja të diktuara nga regjimi, kërkohet një ripërshtatje e shpejtë e jona, u shpreh Berisha.
“Reagimi i Ramës dëshmon tmerrin që ka nga opozita e vërtetë. Rama është në llojin e tij një hajdut dhe diktator. Diktatorit i duken të gjitha pronë e tij dhe ndihet i lirë të abuzojë mbi pasuritë e shqiptarëve. Ka vrarë masivisht shpresën te qytetarët, ka shkaktuar largimin më të madh në histori. Këto të gjitha për ne janë motive beteje. Ndaj ne shpallim betejë pa kthim, në asnjë rrethanë ne nuk mund të zbrapsemi. Në kushtet e reja të diktuara nga regjimi, kërkohet një ripërshtatje e shpejtë e jona. Kërkohet nga ne të bëjmë gjithçka që të jemi zëdhënës të atyre që guxojmë. Rama ka zhytur shoqërinë shqiptare në mbretërinë e frikës. Frika është e njohur se përbën ndjenjën më qendrore të ndjenjave njerëzore”.
Kjo mbledhje thirret në momentin më të jashtëzakonshëm në historinë e forcës tonë politike, tha ish-kryeministri, sipas të cilit, “regjimi i bazuar mbi krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, pasi e demaskojmë çdo ditë për lidhje me krimin, dhunimin e të drejtave të opozitës për vjedhjet e mëdha, shkretëtimin e Shqipërisë, mendojnë se zgjidhja është arrestimi i kryetarit të PD-së me të cilin Edi Rama dhe kushdo tjetër e ka të qartë se nuk mund të bëjë pazare”.
“E vërteta është se ne si opozitë, jo për dëshirën tonë, por për përpjekjet për të lënë Shqipërinë pa opozitë, kaluam një periudhë shumë të vështirë, por përsëri me gjithë vështirësinë e madhe përballë korrupsionit, opozita nuk u shkatërrua sikurse ata deshën. Opozita erdhi duke u fuqizuar, duke u bërë zëdhënëse e interesave të shqiptarëve, duke u bërë zëdhënëse e vlerave, të cilat duhet të ketë një shoqëri e lirë, vlerave që ne besojmë, kemi në program, vlera me të cilat e morën Shqipërinë nga honet e mjerimit të plotë. E nxorëm në një vend të respektuar, anëtar i NATO. Ne nuk lëvizim nga parimet tona, nga orientimi euroatlantik. Lidhja jonë me këto vlera është genuine, në kuptimin që doktrina e identitetit tonë kombëtar është e ndërtuar në këto vlera”.
Këtë të enjte, Parlamenti miratoi me 75 vota pro autorizimin e SPAK për arrestimin e deputetit Sali Berisha. Më pas, Kuvendi i dërgoi Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion vendimin që njofton zyrtarisht heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit.
Tashmë SPAK ka të gjitha mjetet e nevojshme për të proceduar me arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha nëpërmjet masës së sigurimit.
Top Channel