Me avokatët në krahë, gazetari Elton Qyno mbërriti në Gjykatën e Posaçme me dy padi përmes së cilave ankohet për kontrollet në banesë, në zyrë dhe po ashtu kërkon heqje të sekuestros së telefonave dhe kompjuterëve.
Dorjan Matlia tha për mediat se për telefonat nuk ka asnjë procesverbal për bllokimin e tyre.
“Është shumë e rëndë dhe mbi të gjitha janë në rrezik burimet e konfidencialitetetit të gazetarit me të gjithë sekretet që ai ka në punën e tij. Në ky vendim do vazhdojë të qëndrojë në fuqi, nëse sekuestrot do ekzekutohen, të dhënat do nxirren, do bëhen pjesë e dosjeve, atëherë burimet nuk do të kenë më besim tek gazetarët të punojnë nesër dhe ky është grushti më i rëndë që i jepet lirisë së shprehjes përmes standardit kaq brutal që vendos Gjykata e Posaçme e shkallës së parë”, u shpreh avokati Dorjan Matlia.
Elton Qyno nga ana e tij, këmbëngul se janë shkelur të gjitha ligjet edhe për shoqërimin e tij të mërkurën e kaluar.
“Më është kërkuar në mënyrë të domosdoshme që të dorëzoja apo të më sekuestroheshin telefonat dhe në këtë moment kam refuzuar që të bëj një veprim të tillë. Edhe pse më është kërkuar në mënyrë ultimatume dhe në mënyrë të përsëritur që të tregoja burimin e informacioneve, sërish nuk kam pranuar që të tregoj personin. Në këto kushte ka vijuar e gjithë procedura më pas, duke nxjerrë vendimet e gjykatës”, është shprehur Qyno.
Padia e parë është dorëzuar në shkallën e parë dhe në të kundërshtohet vendimi i gjyqtares Atalanda Zeqiraj dhe padia e dytë është dorëzuar në Apelin e Posaçëm.
Top Channel