Tregu i kualifikimit në Gjermani rimëkëmbet këtë vit

16/12/2023 08:23

Tregu i kualifikimeve në Gjermani paraqitet më mirë këtë vit. Sipas Institutit Federal të Formimit Profesional, janë lidhur më shumë kontrata kualifikimi.

Këtë vit më shumë të rinj kanë nënshkruar kontrata kualifikimi. Megjithatë, sipas Institutit Federal për Formimin Profesional (BIBB), shumë vende për praktika kualifikimi nuk plotësohen në vitin 2023.

Sipas vlerësimit, këtë vit janë nënshkruar 489.200 kontrata të reja për kualifikime duale, 3% më shumë se një vit më parë, siç njofton BIBB. Kjo do të thotë se numri i kontratave të reja të kualifikimit u rrit me rreth 21.700, por mbeti në 35.900 ose 6.8% nën nivelin e vitit 2019, pra para shpërthimit të pandemisë. Në vitin 2020, koronavirusi kishte shkaktuar një rënie masive të numrit të kualifikimeve.

Oferta dhe kërkesa nuk përputhen

Sipas BIBB-së, këtë vit nuk është bërë ende e mundur në shumë raste përshtatja e ofertave të kualifikimit që ofrojnë kompanitë me kërkesën e të rinjve. Nga njëra anë, përqindja e vendeve të paplotësuara të kualifikimit u rrit; rreth 73,400 vende kualifikimi nuk u plotësuan dot në të gjithë vendin në vitin 2023. “Kjo përfaqëson 13,4% të totalit të vendeve të kualifikimit të ofruara nga kompanitë, një rekord të ri”, shpjegon BIBB. Nga ana tjetër, numri i të rinjve që nuk gjetën një vend kualifikimi ishte më i madh se në vitin 2022. Numri i tyre ishte 63.700 në 30 shtator.

Presidenti i BIBB, Friedrich Hubert Esser bën thirrje për më shumë mbështetje në veçanti nga politikanët: “Ajo që nevojitet në veçanti është një ofertë orientimi në karrierë që arrin deri tek të rinjtë dhe masa më të mira për të mbështetur lëvizshmërinë e praktikantëve.” Bizneset e vogla dhe mikrobizneset gjithashtu kanë nevojë për më shumë mbështetje kur bëhet fjalë për tërheqjen e të rinjve që braktisin shkollën, “veçanërisht kur bëhet fjalë për komunikimin digjital në rrjetet sociale”.

Konfederata e Artizanatit Gjerman (ZDH) bën thirrje gjithashtu për mbështetje në mënyrë që më shumë të rinj të tërhiqen nga “qasja premtuese dhe mundësitë e karrierës së kualifikimit dual në artizanat”.

Sipas një interviste me presidentin e ZDH, Jörg Dittrich, të kryer nga agjencia e lajmeve Reuters, kjo kërkon një “kthesë në arsim dhe vendosjen e një ekuivalencë të vërtetë midis arsimit akademik dhe atij profesional, në pikëpamje materiale dhe jomateriale”.

Tendenca në tregun e punës: drejt kualifikimit praktik të maturantëve

Në dallim nga rruga e ashtuquajtur klasike- shkollë e mesme dhe më pas universitet-, vërehet gjithashtu një prirje e re sociale. Vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i të rinjve që nisin një praktikë profesionale pasi kanë përfunduar maturën. Sipas shifrave të fundit nga Zyra Federale e Statistikave, pothuajse një e treta e praktikantëve të ardhshëm në vitin 2021 kishin gjithashtu të drejtën që të ndiqnin, në vend të praktikës profesionale, studimet universitare ose në institute të larta profesionale, pothuajse shtatë përqind më shumë se dhjetë vjet më parë.

Veçanërisht i lartë është numri i maturantëve që nisin praktika profesioanale në  profesione më shumë teorike, si në industri, në banka dhe sigurime,” thotë Markus Kiss, ekspert kualifikimi në Dhomën Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK). “Në sektorin e medias ka gjithashtu relativisht shumë praktikantë që kanë mbaruar më parë maturën.” E njëjta gjë vlen për shitësit e librave, organizatorët e eventeve dhe teknikët e laboratorit të biologjisë.

Ka mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar në sektorin TI

Mungesë të talenteve të reja ka në sektorin e TI-së (Teknologjisë Informative) në Gjermani, veçanërisht kur bëhet fjalë për rekrutimin e specialistëve të kualifikuar. Sipas shoqatës Bitkom, në këtë sektor aktualisht ka 149 mijë vende të lira pune, një shifër rekord. Sipas presidentit të Bitkom, Ralf Wintergerst, ka 12.000 vende të lira më shumë se një vit më parë.

Aktualisht, duhen mesatarisht më shumë se shtatë muaj e gjysmë për të plotësuar një pozicion TI. Për këtë arsye, kompanitë po fokusohen gjithnjë e më shumë në personat që kanë pasur më parë profesion tjetër dhe duan të punojnë si informaticienë, shpjegoi Wintergerst. Pengesat burokratike për punësimin e të rinjve të huaj i dekurajojnë shumë menaxherë./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA