Mbrëmjen e sotme skuadra shqiptare e Ballkanit do të provojë për herë të fundit, shansin për të siguruar për herë të parë në historinë e saj, kualifikimin për në fazën e 16-tshes të Conference League.
Edhe pse është një mision shumë i vështirë, Ballkani nuk i ka humbur shpresat e kualifikimit. Por, për të kaluar grupet e Conference League atyre i duhet që fitorja në Zagreb të kombinohet me mungesën e fitores së Astanës në Çeki, përballë kryesuesve të Plzenit.
Ndeshja e parë e luajtur në “Fadil Vokrri” mes Ballkanit dhe Dinamos së Zagrebit, përfundoi me fitoren 2-0 të kampionëve dardanë falë golave të Kryeziut dhe Hamidit, që është deri tani i vetmi sukses i djemve të Ilir Dajës në grupin C.
Te Ballkani e kanë të qartë se nuk ka asgjë për të humbur. Dhe në kryeqytetin kroat do të tentojnë të befasojnë përsëri Dinamon, së cilës i mjafton edhe një barazim për të vazhduar rrugëtimin europian.
Kryeziu (i dëmtuar) dhe Hamidi (i pezulluar) janë mungesat për teknikun Daja. Trajneri nga Tirana deklaroi gjatë konferencës për shtypin se skuadrën e tij e pret një ndeshje e vështirë, por Ballkani nuk ka asgjë për të humbur. Dhe do të futet në fushë për të siguruar maksimumin nga kjo përballje. Aktualisht skuadra ga Suareka ndodhet në vendin e fundit me 4 pikë pas 5 ndeshjesh, aq sa edhe Astana, ndërkohë që Dinamo e Zagrebit renditet në vendin e dytë me 6 pikë ndërkohë që skuadra çeke e Viktora Plzen ka siguruar prej dy ndeshjesh tashmë kualifikimin sepse pas pesë ndeshjesh ka pas 5 fitore.
Ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Conference League mes Dinamos së Zagrebit dhe Ballkanit do të keni mundësinë ta ndiqni si gjithmonë drejtpërdrejtë në Digitalb nga ora 21.00.
Top Channel