Liderët e BE-së janë mbledhur në Bruksel për samitin e fundit të bllokut këtë vit, dhe sytë janë kthyer të gjithë nga Viktor Orban.
Arsyeja është se kryeministri hungarez u shndërrua si padashur në protagonistin kryesor të takimit me rezistencën e ashpër që i ka bërë çeljes së bisedimeve të anëtarësimit të Ukrainës dhe kërkesën për të ndaluar çdo asistencë të mëtejshme financiare dhe ushtarake për të.
Që të dyja këto vendime kërkojnë unanimitetin e qëndrimit të 27 vendeve anëtare, e për këtë arsye, preken nga vetot kombëtare. Miratimi i një fondi special prej 50 miliardë eurosh në mbështetje afatgjatë për kombin e shkatërruar është i lidhur me një rishikim më të gjerë të buxhetit të përbashkët të BE-së.
Pjesë e axhendës së ngjeshur të samitit janë edhe relatat me vendet e tjera kandidate, si Moldavia, Gjeorgjia dhe Bosnje-Hercegovina, lufta midis Izraelit dhe Hamasit, situata në kufirin Finlandë-Rusi, emigracioni, siguria dhe mbrojtja. Orban ka dalë hapur me kundërshtinë e tij. Në dy letra drejtuar kreut të Këshillit të BE, Charles Michel para samitit ai thekson se se Hungaria nuk do të lejojë të futen në buxhetin e BE ndihmat për Ukrainën po ashtu nuk do të japë votën e saj për fillimin e negociatave të anëtarësimit të këtij vendi.
“Ju kërkoj Ju me shumë respekt, që të mos i trajtoni këto tema në Këshillin Europian, pasi për shkak të mungesës së konsesusit, dukshëm do të ketë dështim”, shkruan ai.
“Zgjerimi nuk është një çështje teorike, është një proces i bazuar në merita, ligjërisht i detajuar, i cili ka parakushte,” nënvizon ai.
“Nëse kushtet paraprake nuk përmbushen, nuk ka asnjë shans për të filluar negociatat”, shton me tej.
Debati mbi zgjerimin mund të vështirësohet më tej nga një kërkesë e “Miqve të Ballkanit Perëndimor”, të cilët po bëjnë thirrje që Bosnja dhe Hercegovina të trajtohet me të njëjtat kushte si Ukraina dhe t’i jepet shansi për të hapur bisedimet e pranimit. Por apeli nga koalicioni që përfshin ndër të tjera Hungarinë, Austrinë dhe Republikën Çeke, është pritur me skepticizëm nga vendet veriore dhe perëndimore europiane, të cilët besojnë se Bosnja nuk është gjëkundi pranë përmbushjes së reformave të kërkuara nga Komisioni.
Top Channel