Lodra e preferuar e Mbretëreshës Elizabeth II, rikthehet personazhi i filmave vizatimorë “Paddington”

12/12/2023 17:25

Filmi “Paddington” pritet të vendoset në skenë në vitin 2025, ndërkohë ka nisur puna për realizimin e muzikalit.

Shfaqja artistike do të përshtatet me librat e shkruar nga Michael Bond dhe dy seritë e njohura të filmave, ndërsa aktualisht po zhvillohen seminare për zhvillimin e projektit.

“Është privilegj të krijojmë një muzikal të ri për këtë ari të mrekullueshëm dhe kaq të dashur nga publiku”, thanë producentët e muzikalit të ardhshëm.

Dy seritë filmike të “Paddington”, me zërin karakteristik të Ben Whishaw, kanë qenë suksese të jashtëzakonshme jo vetëm në shikueshmëri por edhe në të ardhura, ndërsa një film i tretë pritet të shfaqet vitin e ardhshëm.

Nëpërmjet ariut, i cili ka qënë edhe lodra e preferuar e mbretëreshës Elizabeta II, producentët shpresojnë se prodhimi skenik do të frymëzojë audiencën e të gjitha moshave me gjithçka që përfaqëson “Paddington“.

Nga ana tjetër, producentja e filmave Anna Marsh u shpreh: “Ne nuk mund të ishim më të lumtur të shohim Paddingtonin tonë të dashur të ngjitet në skenë udhëhequr nga një ekip i talentuar dhe vizionar”.

Skenari i muzikalit i është besuar Jessica Swale, ndërsa muzika dhe teksti do të realizohen nga Tom Fletcher i cili përveç të qenit anëtar i grupit muzikor McFly, shkruan edhe libra për fëmijë.

Më tepër detaje në lidhje me shfaqjen si data e premierës apo artistët pjesëmarrës, pritet të zbulohen në vazhdim ndërsa shumë besojnë se çdo produksion ku përfshihet “Paddington”, kthehet në sukses.

Top Channel