Argjinatura e Darragjatit e dëmtuar gjate përmbytjeve të vitit 2010, dhe 2018 në zonën e Dajçit i është nënshtruar ndërhyrjes.
Kjo pas një kërkese të bërë nga bashkia Shkodër ndaj Bordit të Kullimit për rrezikun që i shfaqej zonës në rast të përmbytjeve. Për të parë nga afër punimet në këtë argjinaturë ka qenë vetë kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci, i cili ka inspektuar punimet ndërkohë që u shpreh se kjo është një ndërhyrje e plotë që shmang rrezikun për zonën.
“Fakti është që kjo zonë është e rrezikuar. Nëse këtë dimër nuk do riparohet, krijon një rrezik të madh për të gjithë zonën e Derragjatit dhe më tej. Mesa shoh unë kjo ndërhyrje do të shpëtojë zonën. Dëmtimi është serioz, por edhe ndërhyrja është në kohën e duhur. Besoj në dy apo tre javë mund ta sistemojmë dhe rregullojmë të gjithë pjesën e prurjes. Është një pikë që ka presionin më të madh, pjesa e argjinaturës, po punojmë paralelisht në disa zona”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci.
Që prej muajit shtator, në territorin e Bashkisë Shkodër është ndërhyrë në disa zona për pastrimin e kanaleve kulluese në Gurin e Zi, Dajç, Berdicë, ndërkohë që deri në fund të dhjetorit të përfundojë ndërhyrja edhe në njësinë Ana e Malit. Këto ndërhyrje zvogëlojnë rrezikun e përmbytjeve nga reshjet në tokat bujqësore në këto njësi administrative
Top Channel