Republikanët e Kongresit nisin procedurat e padisë së shkarkimit të presidentit Biden

07/12/2023 21:49

Kongresmenët republikanë nisën dje procedurat për autorizimin e hetimeve për shkarkimin e presidentit Biden për korrupsion — duke organizuar votën e rëndësishme që pritet javën që vjen.

Rezoluta urdhëron qe tre komitete të Kongresit të përcaktojnë “nëse ka arsye të mjaftueshme” për padi shkarkimi ndaj 81 vjeçarit Biden, për rolin e tij, të të birit Hunter dhe vëllait James Biden në bizneset e huaja gjatë kohës kur ai ishte zv. president me Obama.

Burimet thanë për mediat konservatore vendase se Kongresi do të votojë të mërkurën legjislacionin, që do të prezantohet nga kongresmenia republikane nga Dakota e Veriut, Kelly Armstrong,

Masa prezantohet pak pasi Biden ka mohuar marrëdhëniet e biznesit me të afërmit e tij apo me biznesmenë të huaj, megjithë dhjetra dokumentime në media, kryesisht nga laptopi skandaloz i të birit Hunter.

“Nuk e kam bërë, janë një tufë gënjeshtra, këto janë gënjeshtra”, ka thënë më parë Biden me gazetarët për akuzat, çka u kritikua nga kreu i Kongresit Mike Johnson (R-La.), i cili ishte përgjigjur: “Presidenti gënjeu përsëri … Janë të paktën 22 raste kur Joe Biden flet ose takohet me partnerët e huaj të biznesit të Hunter Biden.”

Kreu i komisionit Jim Jordan (R-Ohio), një nga drejtuesit e hetimit, citonte deklaratën e rreme të Biden gjatë një paraqitjeje të enjten në rrjetin Fox News.

“Ne e dimë se ai ka darkuar, ka telefonuar dhe është takuar me partnerët e biznesit të Hunter Biden, si Devin Archer, kështu që nëse thotë se kjo nuk ka ndodhur, kjo nuk ka kuptim”, tha  Jordan.

Nga laptopi i humbur i Hunter ka dëshmi që tregojnë se Joe Biden kur ishte zv. president në detyrë, me të birin dhe të vëllanë, është takuar me biznesmenë nga Kina, Kazakistani, Meksika, Rusia e Ukraina, përveç atyre amerikanë.

Zhvillimet vijnë përveç akuzave të të birit për armëmbajtje dhe marrdhënie të dyshimta me prostituta, gjithashtu të dokumentuara nga laptopi i humbur i Hunter që ra në dorë të palëve republikane, dhe rrjedhimisht në të gjitha mediat konservatore në vend.

Hetimet e padisë së shkarkimit, e njohur në vend si ‘impeachment’ kanë nisur prej shtatorit, ndërsa të afërmve të Biden u janë dërguar urdhra dëshmie, edhe pse Shtëpia e Bardhë sfidon autoritetin ligjor të vendimit, prej mungesës së autorizimit formal të votës.

Dy nga denoncuesit kryesorë, Gary Shapley e Joseph Ziegler, kanë dëshmuar më herët për HUnter Biden mbi krimet e tij taksore, por janë ndaluar të hetojnë për vetë presidentin, edhe pse komunikimet e lidhin atë drejtpërdrejt me çështjen, shkruan ThePost.

Në një tjetër dëshmi të rëndë nga Archer, kongresmenëve u tha se ish-zv. presidenti vendosej të paktën 20 herë me zë publik në telefonatat e grupit me bashkëpunëtorët e huaj të të birit, ka darkuar dy herë me kontaktet e të birit nga Azia qendrore ose Evropa lindore, dhe ka marrë një telefonatë nga biznesmenë ukrainas nga Dubai, pak para se Hunter të krijonte një fond investimesh për bizneset.

FOTO GALERI
2/4
Masa prezantohet pak pasi Biden ka mohuar marrëdhëniet e biznesit me të afërmit e tij apo me biznesmenë të huaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA