Pas gjashtë vitesh, përsëri në Athinë në një vizitë të konsideruar historike dhe jo pa shkak për rivalët e vjetër rajonalë Greqi dhe Turqi.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të kryeqytetit grek nga ministri i Jashtëm Georgios Gerapetritis dhe më pas ka takuar homologen e tij greke Katerina Sakellaropoulou.
Por gati çerekun e kohës së vizitës së tij 8 orëshe e ka zënë takimi tek për tek me kryeministrin Mitsotakis dhe deklaratat për shtyp të të dy liderëve sipas të cilave duket se Greqia dhe Turqia dy aleatë të NATO-s, por njëkohësisht kundërshtarëve historikë që shpeshherë kanë arritur edhe në prag të konfliktit ushtarak, kanë rënë dakord të rifillojnë marrëdhëniet e mira mes tyre, duke hyrë në një epokë të re .
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që në muajt e fundit të dy vendet po ecin në një rrugë më të qetë. Greqia dhe Turqia, Turqia dhe Greqia duhet të jetojnë në paqe. Ata duhet ti shprehin dallimet e tyre, të cilat dihen, t’i diskutojnë me sinqeritet dhe t’i kërkojnë zgjidhje. Dhe nëse nuk mund ti kapërcejnë , ato nuk duhet të prodhojnë automatikisht tensione dhe kriza“, tha kryeministri grek.
Sa u përket ndasive të thella mes tyre për dekada të tëra për çështjet e shelfit kontinental, demilitarizimit të ishujve, burimeve energjetike, shkeljeve të hapësirave ajrore apo edhe problemin qipriot, Mitsotakis ka deklaruar se pavarësisht se nuk ka dakordësi , klima e mirë e këtij takimi krijon një bazë që qasja e ardhshme të jetë për diskutimin e kufijve detarë dhe ZEE. Ju kemi borxh brezave të ndërtojmë një të nesërme ku në ato ujëra të qeta do të fryjë një erë e mirë, tha ai.
Është e natyrshme që të ketë probleme mes dy fqinjëve, ashtu si mes vëllezërve, por kryesorja është vullneti për të zgjidhur ka theksuar edhe presidenti turk.
“Ne duam ta kthejmë Egjeun në një det paqeje dhe bashkëpunimi. Si Turqia dhe Greqia, duam të japim shembull për të gjithë botën me hapat e ndërsjellë që do të hedhim. Po e them hapur këtë: nuk ka asnjë problem mes nesh që nuk mund të zgjidhet, me kusht që të veprojmë me mirëbesim“, u shpreh Erdogan.
I vetmi çast i sikletshëm në këtë klimë të ngrohtë të vizitës është konsideruar momenti kur Erdogan ka folur për minoritetin mysliman të Trakës duke e quajtur pakicë turke, ndërsa ka marrë fjalën menjëherë Mitsotakis që ka shtuar se sipas marrëveshjes së Lozanës, bëhet fjalë për qytetarë grekë me besim mysliman.
Dy udhëheqësit ranë dakord të mbajnë kanale të hapura komunikimi, të rrisin marrëdhëniet tregëtare nga 5 në 10 miliardë dollarë, dhe të punojnë për çështje që i kanë mbajtur ata të ndarë, veçanërisht Deti Egje.
Erdogan dhe Mitsotakis kanë nënshkruar deklaratën e miqësisë dhe fqinjësisë së mirë , për herë të parë në historinë e dy vendeve. Gjithashtu, ministrat që shoqëronin presidentin turk dhe homologët e tyre grekë kanë nënshkruar 7 deklarata të përbashkëta, 7 memorandume bashkëpunimi dhe një marrëveshje për arsimin.
Top Channel