Finlanda mbylli të gjithë kufirin prej 1340 kilometrash me Rusinë, duke e akuzuar Moskën se i nxit azilkërkuesit të kalojnë kufirin.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, Finlanda thotë se për shkak të anëtarësimit të saj në NATO, Rusia po i ndërmerr këto veprime në kuadrin e një sulmi hibrid. Rusia i mohon këto akuza.
Mbi nëntëqind azilkërkues nga vende si Kenia, Maroku, Pakistani, Somalia, Siria dhe Jemeni hynë në Finlandë nga territori i Rusisë në muajin nëntor, njoftoi roja kufitare finlandeze. Më përpara, mesatarja ishte më pak se një person në ditë.
Deri më 24 nëntor, vetëm një nga tetë pikat kufitare të Finlandës, ajo në Raja-Jooseppi, vazhdonte të ishte e hapur. Të enjten, edhe kjo pikë e kalimit kufitar u mbyll, duke mbyllur kështu praktikisht të gjithë kufirin.
“Kjo është ndërhyrje nga Rusia dhe ne nuk e pranojmë. Gjatë ditëve të fundit është kuptuar gjithnjë e më shumë se ky është një aktivitet i organizuar dhe jo një emergjencë reale”, tha Kryeministri finlandez Petteri Orpo.
Rusia po përpiqet të përdorë emigracionin, thotë analisti Charly Salonius-Pasternak, ekspert për sigurinë e Finlandës.
“Gjatë marrjes në pyetje, emigrantët kanë thënë se u janë dhënë dy opsione: ose të shkojnë në front në Ukrainë, ose të dërgohen me autobuzë apo kamionë ushtarakë drejt veriut dhe pastaj të blejnë me detyrim një biçikletë për të kaluar kufirin. Pra është shumë e strukturuar mënyra se si kanë vepruar autoritetet ruse”, thotë ai.
Veprimet e Rusisë janë në kundërpërgjigje të vendimit të Finlandës për t’u anëtarësuar në NATO, pas sulmit të forcave ruse në Ukrainë, duke i dhënë kështu fund statusit neutral të mbajtur prej dekadash.
“Finlanda konsiderohet nga Rusia vend armiqësor”, thotë zoti Salonius-Pasternak.
Polonia ofroi të dërgojë këshilltarë ushtarakë për të ndihmuar policinë finlandeze në kufi, por oferta u refuzua nga Finlanda. Polonia ka akuzuar Bjellorusinë se dërgoi mijëra azilkërkues në vitin 2021 përmes kufirit të tyre të përbashkët.
Rusia nuk i pranon akuzat se po mundëson fluksin e emigrantëve drejt kufirit finlandez.
“Nuk ka asnjë rrezik. Në realitet nuk ka ndonjë tension. Tensioni mund të rritet në fakt nga përqëndrimi i njësive të reja përgjatë kufirit tonë dhe finlandezët duhet të jenë të ndërgjegjshëm se kjo do të përbënte kërcënim për ne”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Kufiri Finlandë-Rusi është rreth 1340 kilometra i gjatë. Ekziston shqetësimi se emigrantët do të provojnë ta kalojnë kufirin ilegalisht, duke vënë në rrezik jetën.
“Temperaturat kanë qenë në -25 gradë Celcius. Është mjedis shumë jomiqësor për këdo që kërkon të kalojë kufirin. Pra ekziston frika se do të shohim së shpejti pamje të njerëzve të ngrirë në errësirë”, thotë zoti Salonius-Pasternak.
Finlanda thotë se kufiri do të qëndrojë i mbyllur për të paktën dy javë.
Estonia njoftoi se është gjithashtu e gatshme ta mbyllë kufirin me Rusinë nëse do të ketë një fluks të madh emigrantësh dhe paralajmëroi shtetasit e saj të mos udhëtojnë drejt Rusisë.
Top Channel