“Në shpirt më rëndon dhimbja”/ Mediu dëshmon për Gërdecin në gjykatë: Rihapja e çështjes, në kundërshtim me ligjin

30/11/2023 11:17

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka dëshmuar sot në Gjykatën e Posaçme, aty ku po zhvillohet seanca për Gërdecin.

Dëshminë e tij Mediu, sipas gazetares Anila Hoxha, e ka nisur me një ndjesë të madhe siç tha ai, duke shtuar se ngjarja e 15 marsit të vitit 2008 që tronditi gjithë Shqipërinë, ka ndryshuar rrënjësisht jetët e të gjithë njerëzve që janë në gjyq, por edhe të familjes së tij.

Që prej 15 Marsit të vitit 2008, jeta e disa prej njerëzve që janë sot në këtë sallë, ka ndryshuar rrënjësisht.  Pas shpërthimit në Gërdec, shumë prej tyre përjetuan ngjarje të rënda, deri në humbjen tragjike të njerëzve të tyre të dashur.  Kjo ngjarje tragjike ndryshoi gjithashtu jo pak jeten time dhe të familjes sime. Që prej asaj dite në mendjen dhe në shpirtin tim rëndon pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së këtyre familjeve, të cilëve përulësisht ju rikërkoj një ndjesë të madhe për çfarë ndodhi dhe ju shpreh gjithë keqardhjen time të thellë njerëzore.”- nisi dëshminë e tij Mediu.

Ish-ministri ka bërë mbrojtjen duke shpjeguar se nuk ishin veprimet apo mos veprimet e tij, e as pakujdesia ato që ndikuan në shpërthimin e Gërdecit, ngjarje për të cilën dha edhe dorëheqjen aso kohe, dhe sipas tij kjo u mor për dobësi.

Edhe pse, as me dashje dhe as nga pakujdesia, nuk janë veprimet, apo mosveprimet e mia, apo dhe interesi im personal, ato që shkaktuan, apo ndikuan në shpërthimin në Gërdec, përsëri si ministër i mbrojtjes, unë kam njohur dhe kam pranuar dje dhe pranoj sot përgjegjësinë time të plotë morale për çfarë ndodhi.  Në reflektim të kësaj përgjegjësie, si dhe prej dhimbjes së madhe për jetët e humbura, unë dhashë dorëheqjen nga detyra e ministrit të mbrojtjes.

Jam i keqardhur që aktin e dorëheqjes time si ministër dhe më pas sjelljen dhe qëndrimin tim të përulur në lidhje me tragjedinë, grupime të caktuara politike dhe jopolitike, e kanë parë si akt dhe sjellje dobësie dhe si reflektim të një individi me faj. Kam zgjedhur të jem i kursyer në shpjegimet e mia publike dhe të shmangë sa të mundem të flas për ngjarjen. Me bindjen se shpjegimet dhe të vërtetat e mia rreth ngjarjes, për familjen Durdaj dhe të tjerët, jo vetëm nuk do të ishin një lehtësim i dhimbjes së tyre, por përkundrazi.”- vazhdon Mediu.

Mediu cilësoi fajtor shtetin për viktimat e Gerdecit, duke arsyetuar se në atë rast ishte ai ministri dhe do donte shumë ta zhbënte atë ngjarje por tani i ngelet vetëm keqardhja dhe ndjesa.

Për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjësi që nuk mbrojti jetët e familjarëve të tyre. E për ta, shteti në këtë rast është Ministri. Ndaj, kundrejt tyre unë nuk kam çfarë të them. Do desha shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam asnjë forcë, veçse t;ju shpreh edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga tragjedia e 15 Marsit. Veç familjarëve, kushdo tjetër ka detyrim moral, por kur është rasti edhe detyrim institucional, që vlerësimin dhe gjykimin për atë ngjarje ta bëjë bazuar vetëm në fakte. Mbi të gjitha ky detyrim është për prokurorinë dhe gjykatën, si dy institucione kompetente që vlerësojnë ligjërisht përgjegjësitë penale të individit.”

Mediu tha se rihapja e çështjes dhe vazhdimi i këtij gjykimi, është në kundërshtim me ligjin, teksa tha se ‘dua të besoj se kjo çështje nuk është nxitur politikisht’. ‘Cila është baza ligjore që i ka dhënë të drejtën prokurorisë të ngrejë akuzë ndaj meje, pasi kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga 15 marsi i vitit 2008, momenti kur mendohet të jetë kryer vepra penale?’- ishte një ndër disa pyetjet që ngriti Mediu ndaj gjyqtares.

Është plotësisht e qartë që rihapja e çështjes penale në ngarkimin tim dhe më shumë akoma vazhdimi i këtij gjykimi, është haptazi në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH, si dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut.  Dua  të besoj se nxitja për ta rihapur këtë cështje dhe për ta vazhduar gjykimin, nuk është politike dhe se ju nuk keni apo mbështesni interesa politike në këtë proces.  Si prokuror dhe gjyqtar, është e qartë që juve nuk ju mungon aftësia profesionale dhe dija për ligjin penal e më gjerë. Ndaj mbetet të keni kurajo të respektoni strikt ligjin dhe vetëm ligjin. Neni 66 i Kodit Penal parashikon se nuk mundet të ushtrohet ndjekja penale nëse nga dita që është kryer vepra, deri në ditën që personi merret i pandehur, kanë kaluar 10 vjet,  për rastin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës.  Cila është baza ligjore që i ka dhënë të drejtën prokurorisë të ngrejë akuzë ndaj meje, pasi kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga 15 marsi i vitit 2008, momenti kur mendohet të jetë kryer vepra penale?  Cili nen i Kodit Penal parashikon pezullimin e parashkrimit të ndjekjes penale? Kodi Penal nuk parashikon gjithashtu as pezullim të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit. Gjykata e Lartë me vendim unifikues nr.1, datë 28.10.2022, ka konfirmuar përcaktimin e Kodit Penal, sipas të cilit nuk ka pezullim të parashkrimit të ekzukutimit të vendimit penal.  Kur nuk ka pezullim të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit, për të dënuar, që i largohen dhe  i fshihen drejtësisë, si mundet të ketë pezullim të parashkrimit të ndjekjes penale për një individ i cili nuk është hetuar për mbi 10 vjet dhe që prezumohet i pafajshëm?!!! Çfarë e ka penguar prokurorinë të rihapi çështjen ndaj meje, të rihetoj, të ngrejë akuzë, nga vitit 2009 deri në vitin 2022?  Unë këtu kam qënë, nuk jam fshehur, nuk i jam shmangur ndonjë hetimi të mundshëm?!!! Për më shumë se 15 vjet unë nuk jam pyetur pothuaj asnjëherë. Jo vetëm kaq por kam këmbëngulur që Gjykata e Lartë në gjykimin e vitit 2009 të vazhdojë gjykimin?!!!! I kam kërkuar Prokurorisë së Përgjithëshme  të tërheqë aktet dhe të kërkojë në Kuvend riheqjen e imunitetit.   Prokuroria e Përgjithshme nuk e bëri këtë dhe rrjedhimisht Gjykata e Lartë vendosi pushimin e gjykimit me gjithë kërkesën time për ta vazhduar atë.  Çfarë provash, apo rrethanash të reja janë shfaqur edhe pasi ka kaluar afati 10 vjeçar i parashkrimit, që e shtynë  prokurorinë/SPAK të rihapë këtë proces?  Asnjë prove, asnjë e dhënë e re.  Për më tepër edhe në këto dy vite gjoja hetim, prokuroria/SPAK nuk shtoi absolutisht asgjë më shumë nga sa përmban hetimi i vitit 2008-2009. Në vendimin për të rihapur procesin dhe për të dërguar çështjen në gjyq, nuk është respektuar as vendimi i Gjykatës së Lartë nr. 1106, datë 21.12.2021.   Në paragrafin 23 të këtij vendimi përcaktohet qartazi, se në momentin e disponimit përfundimtar të prokurorit për ushtrimin e ndjekjes penale dhe dërgimin e çështjes në gjyq, do të vlerësohen afatet e parashikuara në nenin 66 të Kodit Penal (PARASHKRIMI). As prokurori nuk e bëri këtë, por as edhe ju si gjykatë nuk po e bëni?  Mund të më thoni i nderuar prokuror se nga ku buron kurajoja juaj për të injoruar në mënyrë flagrante Kodin Penal për parashkrimin, për të injoruar vendimet e Gjykatës së Lartë, por edhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut për këtë institut penal?!!!   Denoncimi i paligjshmërisë së hapjes së procesit nuk ka si qëllim për tju shmangur gjykimit.  Por rihapja e kësaj çështje në kundërshtim flagrant me ligjin është tregues i mungesës së garancive për një proces të drejtë ligjor nga ana juaj. ”- vazhdoi më tej Mediu.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën 300 të tjerë.

Top Channel