Dom Gjergj Meta në “Top Story”: Komunizmi, një traumë e pashëruar

30/11/2023 22:33

Komunizmi, ishte një prej temave që u diskutua gjatë intervistës së Ipeshkvit të dioqezës së Rrëshenit, Imzot Dom Gjergj Meta në emisionin “Top Story” në Top Channel.

Komunizmi është një traumë e pashëruar për Dom Gjergj Metën, pasi sipas tij ne nuk jemi përballur kurrë si popull me të kaluarën tonë komuniste.

Dom Gjergj Meta: Ne nuk jemi përballur kurrë si popull me të kaluarën tonë komuniste, jo vetëm me dëmin material, ka shkatërruar ka burgosur vrarë torturuar, në 45 vite mbi popullin shqiptar ka rënduar një traumë, se komunizmi duhet trajtuar si traumë që prek nivele të ndryshme të shoqërisë. Është një traumë e pashëruar. Trauma është e trashëguar, mund të trashëgohet gjenetikisht, ka studime mjaft serioze, një shoqëri e traumatizuar lind një shoqëri të traumatizuar. Atëherë përmes klasave, sot përmes formacioneve.

Duma: Sa e ndjeni që përmbahen shqiptarët apo rrëfejnë?

Dom Gjergj Meta: Nga miq të mi që janë edhe psikoanalistë, ka shumë vështirësi të shqiptarëve që të nxjerrin plagët e tyre dhe t’ia japin dikujt tjetër që ‘të lutem më shëro’, s’mund ta zgjidhi ai që ka plagën, por ai që ka qëllime pozitive. S’ka pasur disa përpjekje që të krijohen oaze që të rikuperohet e kaluara e komunizmit përmes shërimit të plagëve. Thjesht me dëmshpërblimin, një plagë nuk paguhet, shërohet, dëmshpërblimi është një pjesë por nuk zgjidh gjithçka. Në vitet ’90 është bërë një arsyetim i tillë, ‘hajt se kaloi gjithçka, t’ia nisim nga e para’. Ishin eshtra njerëzish, jetë të humbura, një kulturë e kontrolluar, një kulturë që nuk ishte kulturë, komunizmi nuk ka prodhuar kulturë, por një kulturë të cunguar.

Top Channel