Fiks Fare/ “Rindërtimi i përgjakur”, dosja e punëtorit që vdiq duke ndërtuar shtëpitë e tërmetit, prej 20 muajsh në “sirtar”

28/11/2023 20:41

Fiks Fare denoncoi procesin e rindërtimit të shtëpive të të pastrehëve, që iu shkatërruan shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit i vitit 2019.

Në përvjetorin e katërt nga kjo tragjedi, viktimat sa vijnë edhe shtohen. Genci Spaho u aksidentua në punë në maj 2022. Ai po punonte te firma “Kaca One”, në zonën e Spitallës, në Durrës. Në datën 7 maj, kur ndodhi aksidenti, punëtori nuk ishte i siguruar. Pronarët e firmës e siguruan ditën e aksidentit, teksa jepte shpirt në spital. Nga maji 2022 deri në nëntor 2023, Prokuroria nuk ka vepruar. Sigurimet, Inspektoriati i Punës dhe Tatimet pranojnë direkt dhe indirekt se viktima ka qenë i pasiguruar.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua Denada Spaho, studente 22-vjeçare, vajza e viktimës.

“Në datë 7 maj 2022, në zonën e Spitallës ku po ndërtohen banesat për të pastrehët e tërmetit, ish-punëtori i firmës së ndërtimit ‘Kaca One’ dhe ‘EDICOM’ është edhe i ndjeri babai im, Genci Spaho. Në këtë datë ‘mbeti dëshmor’ në atë vend, pasi duke punuar ra nga lartësia”, tha Denada.

Ajo tregon se babai sapo kishte filluar punën dhe ra në gropën e ashensorit, e cila minimalisht duhet të ishte e mbuluar për mbrojtjen e jetës së punëtorëve.

“Unë jam vajza e tij dhe si një jetime kërkoj drejtësinë e pavendosur kurrë. Çdo gjë u manipulua, pasi puna vazhdoi direkt dhe pronari e përgjegjësit e firmës vazhduan ecurinë e punës si të mos kishte ndodhur asgjë. Turp!”, thotë ajo, ndërsa pohon se askush nga përgjegjësit e firmës nuk i shprehën as ngushëllime familjes.

“Askush nuk u interesua. Çdo gjë u shua bashkë me vdekjen. Kjo situatë u harrua por unë s’mundem ta harroj. Nuk kemi marrë as ndihmë nga shteti, as pension. Babai im vërtet iku, por ai mbante 5 frymë në familje. Nuk kam dijeni se cfarë është bërë në prokurori e gjykatë. Disa persona u ndaluan atëherë po u liruan. Ditën e aksidentit babai im ka qenë i pasiguruar. Ata të firmës i morën mamit në spital kartën e identitetit. S’e dimë se çfarë kanë bërë me të. Nga firma asnjë ndihmë dhe prokuroria thotë akoma është çështja nën hetim”, përfundon Denada.

Pas denoncimit, vajza e viktimës shkon te Inspektoriati i Punës. Takon punonjës dhe i japin një fletë. Atje rezulton se data e deklarimit është 7 maji 2022, pra data e aksidentit. Thonë se kanë hetuar dhe i kanë vendosur gjobë firmës, por s’kanë akoma aktin për kushtet në punë.

“S’na e ka sjellë firma”, pohojnë ata. Më pas shkon te Sigurimet Shoqërore, teksa punonjeset i tregojnë se data e saktë kur janë mbyllur ndodhen te Tatimet e Durrësit.

“Po këta kështu e bëjnë për të mbyllur aksidentin”, i thonë punonjëset. Denada, bashkë me gazetarët e Fiksit, shkojnë te Tatimet. Punonjësit i thotë se “deri tani s’na ka kërkuar gjykata dhe prokuroria kërkesë”. Më tej pohon se shkresën ua çcojnë atyre. “Po unë jua them paraprakisht që dokumentet i kanë mbyllur në datën 7 maj (ditën e aksidentit)”, pohojnë ata.

Fiksi bisedon me pronarin e firmës “Kaca One”, Rexhep Kaca. Ai thotë se s’ka qenë te vendi punës kur ndodhi. Njëherë thotë ka qenë djali që e ka shoqëruar punëtorin e aksidentuar në spital. Gazetarët e pyesin nëse ka qenë i siguruar. Përgjigjet se duhet të pyes ekonomisten.

“Do të flas me ekonomisten dhe do të kthej përgjigje”, thotë Rexhepi, por deri në transmetimin e kësaj kronike s’na ka kontaktuar. Fiksi e pyet për kushtet, teksa pohon se çështja është ende nën hetim. Por, a e ka ndihmuar familjen? “I kemi qëndruar te koka”, përgjigjet ai, kur në 7 maj punëtori ka qenë në sallë kirurgjie dhe po atë ditë ka ndërruar jetë.

“Unë kam qenë nënkontraktor i ‘EDICOM’ se edhe ai ka kontratën. Ai duhet të mbajë përgjegjësitë e veta, unë të miat. Janë në Prokurori letrat”, pohon Rexhepi. Pyetjes nëse ka apo jo persona të ndaluar apo arrestuar, ai thotë se jo, ndërsa janë shoqëruar disa ditë dhe më pas janë liruar.

Rexhep Kaca, pronari i firmës nënkontraktore, këmbënguli disa herë se çështja është në prokurori dhe nën hetim. Ai tha se janë bërë një sërë eksperimentesh. Njëri prej të cilëve në datën 28 maj 2022, disa ditë pas ngjarjes. Në të thuhet se gropa e ashensorët është e mbushur me ujë dhe bidonë plastik. Nuk ka mure. Nuk shikohen skela dhe rrejta mbrojtëse. Dhe, këtë kantier, e kishte nën administrim nënkontraktori “Kaca One”.

Por, a është bërë trajnimi mbi rregullat e sigurimit teknik? Eksperti shkruan se dokumenti nuk është miratuar nga personi përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë. Mungon plani i sigurisë dhe detyrimet e punëdhënësve. Viktima nuk ka qenë i pajisur me masat mbrojtëse individuale, kaskë, jelek, këpucë, dorashka. Madje, as i lidhur me rrip sigurimi.

Janë pyetur një mori personash, përgjegjës dhe punëtorë nga të dyja firmat. Por, deri më sot, kur kanë kaluar rreth 20 muaj nga ngjarja, dosja ndodhet ende në prokurori.

Fiksi shkoi në kantier dhe u takua me z. Rauf Kaçi. Emri i tij ndodhet në dosjen e prokurorisë dhe është një nga punonjësit që është hetuar për këtë ngjarje. Megjithëse është nën hetim dhe në gjendje të lirë, mohoi të ketë dijeni për ngjarjen. Ndërkohë, ishte edhe një punonjës tjetër, Leonard Purde. Edhe ky person ishte nën hetim për ngjarjen. Të dy vijojnë punën dhe bënë të paditurin për ngjarjen e 7 majit. Janë ende në vendngjarje dhe vijojnë të jenë përgjegjës për të gjithë kantierin! Madje, nuk pranuan që grupi i Fiks Fare të filmonte në atë zonë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel