Studiuesi Auron Tare dhe historiania Valentina Duka kanë shpjeguar me detaje në “Top Story” rrethanat që çuan në anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

Sipas Dukës, krahas lobimit të madh, ishte përfaqësimi i delegacionit shqiptar nga një prift ortodoks sikurse Fan Noli – çka tregonte harmoninë fetare – që ngjalli kuriozitet tek fuqitë e mëdha. Noli, një prift ortodoks, përfaqësonte delegacionin e një vendi 70% e të cilit ishin mysliman. Ky moment dhe fjalimi drithërues i Nolit tërhoqën vëmendjen e kryeministrit Indian, i cili reagoi i pari, dhe më pas ishte edhe mbështetja e madhe e Anglisë, u shpreh Duka.

Në këtë moment ka ndërhyrë Tare, i cili theksoi se mbështetja e anglezëve nuk erdhi apriori, por sepse në atë kohë kishte dalë vajguri dhe kishte interesin e marrjes së vajgurit nga Shqipëria. Madje, studiuesi vijoi më tej, duke treguar se në lidhje me vajgurin, Nolin e përgjonin shërbimet sekrete amerikane.

Pjesë nga diskutimi:

Duka: Noli ka mbajtur një nga fjalimet më interesante të jetës së vetë në dhjetor të 1920-ës kur po diskutohej në Gjenevë pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Lidhja e Kombeve ishte një krijesë e Uillsonit në konferencën e Paqes, një krijesë që Senati Amerikan nuk ja mbështeti asnjëherë. Popujt, elita politike europiane jo vetëm që e mbështeti, por e krijoi me dëshirën e madhe që një luftë e re botërore që nuk u evitua sikurse Lufta e Parë Botërore të shmangej në vijimësi.

Shqipëria bëri menjëherë kërkesë për të qenë pjesë e Lidhjes së Kombeve në dhjetor të 1920-ës dhe për fatin e shqiptarëve dhe mençurinë e elitës politike të asaj kohe, u zgjodh si kryetar i delegacionit shqiptar që do të përfaqësonte Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, Fan Noli.

Noli, një prift ortodoks, do të kryesonte një delegacion 70% e së cilës ishte myslimane. Pasi mbajti një fjalim në mbështetje të Shqipërisë dhe kishte lobuar më herët në anglisht, u ngrit kryeministri indian dhe tha se ‘ne duhet të mbështesim këtë vend që, pavarësisht se 70% e tij është myslimane, dërgon këtu për ta përfaqësuar jo thjesht një ortodoks, por një prift ortodoks’.

Fatmirësisht me një numër të madh votash dhe mbështetjen e madhe të Anglisë, Shqipëria u bë anëtare e Lidhjes së Kombeve.

Tare: Anglia na mbështeti sepse sa ishte zbuluar vajguri. Nuk na mbështeti se na donte, por sepse ishte vajguri.

Duka: Për arsye ekonomike, po. Por kështu lëviz gjeopolitika.

Tare: Por ishte vajguri.

Duka: Absolutisht.

Tare: Noli u mor shumë me vajgurin në atë kohë sipas kujtimeve të Cakranit dhe Hajredin Beut.

Duka: Noli sigurisht që ishte i interesuar dhe jo vetëm kaq, por më 3 Qershor të 1917-ës ishte fushata e Vatrës “Jepni për Nënën”. Sepse Vatra do të dërgonte Mehmet Konicën dhe Mjalt Turtullin në Evropë, e bindur se Shqipëria do të kishte nevojë për mbështetjen e fuqive të mëdha sepse mendonin se pa to, Shqipëria nuk bëhet. Dhe Noli shkruan poezinë e tij “Jepni për Nënën”, me vargje të shkëlqyera “Nënë moj ti mos ki frikë sepse ke Diellin në Amerikë”. Poezi kjo që frymëzoi Diasporën për të kontribuar.

Tare: Do doja të shtoja diçka interesante që nuk njihet. Unë kam dashur të botoj para një 10 vitesh dosjen 405 të FBI-së. Nuk e botova atëhere sepse i ndjeri Nasho Jorgaqi më tha ‘të lutem mos e boto’.

Ajo ishte një dosje voluminoze ku shërbimet sekrete amerikane e përgjonin Nolin sepse mendonin se ishte agjent austro-hungarez. Menduan se burrat e Vatrës që mblidheshin ishin ndonjë degë e ndonjë mafie italiane që mblidheshin dhe i vunë agjenturën për ta përgjuar, por që në fakt këta mblidheshin për këto, për fondet… Për çështjen e Shqipërisë. Në fakt është një dosje e madhe një 700 faqe dhe më e bukura ishte se ishte një grua shqiptare që i informonte.

Duka: Ishte Parashevi Qirjazi, por duhet kuptuar se ishin edhe mosmarrëveshjet e elitës politike të kohës atëherë.

Duma: Ndërkohë që po të dëgjoj Auron, flet me një lloj cinizmi dhe thua u zbulua vajguri. Unë di që fjalia më efiçente diplomatike e Konicës ka qenë “Dua vetëm 3 sekonda ta takoj “X” përfaqësues të fuqive të mëdha sepse do ti them vetëm një fjali ‘në Shqipëri ka naftë’”. Tani, a ka mënyrë tjetër për të ndërtuar marrëdhënie me fuqitë e mëdha pa u futur në mes interesi?

Tare: Jo, nuk ka. Por e kisha në idenë se Anglia na mbështeti aso kohe sepse kishte dalë vajguri. Pastaj dërguan konsulent në Durrës.

Duka: Fatmirësisht u bashkuan interesat e Anglisë me interesat e çështjes tonë Kombëtare.

Tare: Pikërisht, nuk e mbështeti Shqipërinë apriori sikurse e ka bërë për Greqinë për një kohë të gjatë. Greqinë e ka mbështetur që në krijim, ndërsa Shqipërinë e mbështeti vonë pas amerikanëve, për vajgur.

Top Channel