“Konica” po rrënohet”/ Tare i ashpër: Shteti shqiptar nuk po bën asgjë, Greqia lufton për atë që i përket

27/11/2023 22:25

Studiuesi Auro Tare u tregua i ashpër në lidhje me mospërpjekjet e Shqipërisë për të restauruar shtëpinë e Faik Konicës, gjendja e të cilës sipas tij është e keqe.

I ftuar në “Top Story”, ku diskutuan për 111-vjetorin e pavarësisë, ai tregoi se shteti shqiptar nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta rregulluar shtëpinë e Konicës, ndërsa Greqia po investon edhe në varrezat që i përkasin atyre.

“Dua të përmend diçka meqë po diskutoni për Konicën. Përballë Leskovikut është qyteti i Konicës, dhe atje është ende shtëpia e Faik Beut, ku ka lindur. Është një kryevepër e cila po rrëzohet dita ditës, është pronë private, grekët nuk kanë çfarë t’i bëjnë. Por nuk ka deri më sot asnjë përpjekje nga shteti shqiptar për ta rregulluar, siç ka nga qeveria greke përpjekje për varreza, për kisha, etj. Shteti shqiptar nuk ka bërë apsolutisht as më të voglën përpjekje për ta restauruar shtëpinë e Faik Konicës. Është një turp i madh”, deklaroi Tare.

Ndër të tjera studiuesi zbuloi se mundësia e vetme për momentin janë shqiptarët e Amerikës, të cilët janë dakord për të mbledhur fonde, megjithëse shtoi se duhet të jepet shtysë nga qeveria shqiptare.

“Unë jam përpjekur në fakt sepse kemi një mundësi në Amerikë që shqiptarët do të ishin shumë dakord për të mbledhur fonde por duhet një shtysë nga Ministria e Kulturës dhe qeveria shqiptare. Ashtu siç kërkon qeveria e Greqisë për trashëgiminë e vet kulturore në Shqipëri, duhet të kërkojmë edhe ne. Aq më tepër Faik Beun të cilin ne e citojmë pafundësisht dhe ne e kemi lënë t’i mbijë bari”, deklaroi Auro Tare.

Top Channel