Sot shënohet 4-vjetori i tërmetit tragjik të ndodhur më 26 nëntor 2019, ku humbën jetën 51 persona dhe u plagosën mijëra të tjerë.

Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe shembjen e qindra banesave duke lënë pa strehë qindra familje shqiptare.

Ishte ora 03:56, kur një lëkundje e fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që zgjati për rreth 50 sekonda me epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit goditi vendin tonë.

Lëkundjet e tokës, të cilat u ndjenë në disa qytete, shkatërruan shtëpi, pallate, shkolla, ndërsa për orë të tëra ekipet e kërkim-shpëtimit kërkonin për të mbijetuarit të ngecur në rrënoja.

Njëmbëdhjetë bashki u prekën, duke përfshirë dy nga më të mëdhatë në vend, Tirana dhe Durrësi.

Pasojat u ndjenë, gjithashtu, në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës dhe Mirditës.

Tërmeti preku 202 mijë persona. Për nga shkalla e magnitudës ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Shqipërinë në më shumë se dyzet vjet.

Dëme u shënuan kryesisht në qytetin e Durrësit dhe fshatin e Kodër-Thumanës, të cilat ndodheshin afër epiqendrës së tërmetit.

Hotele dhe pallate u shembën në Durrës, katër ndërtesa, përfshirë një pallat 5-katësh u shembën në Kodër-Thumanë e cila u godit më rëndë nga tërmeti.

Qyteti i Laçit u dëmtua gjerësisht. Gjendja e jashtëzakonshme që do të zgjaste 30 ditë u shpall nga qeveria shqiptare për Durrësin, Thumanën dhe Tiranën e më vonë u zgjerua për Laçin dhe Lezhën.

Tërmeti u ndoq nga pasgoditje të cilat shkaktuan frikë për ditë me radhë midis qytetarëve.

Qindra ushtarë shqiptarë dhe rreth 2.000 oficerë policie u dërguan në zonat e prekura nga tërmeti. Ata u ngarkuan me detyrën e ndihmesës në operacionet e kërkim-shpëtimit, si dhe në ngritjen e çadrave dhe kampeve të strehimit për njerëzit e mbetur tashmë pa shtëpi. 300 çadra emergjencash u ngritën pranë stadiumit të Durrësit dhe në Thumanë për të strehuar rreth 1.000 persona.

Të paktën 45 persona u nxorën të gjallë nga rrënojat. Sipas informacioneve, 25 persona humbën jetën në Durrës, 25 në Thumanë dhe 1 në Lezhë. Midis viktimave ishin dhe 10 fëmijë të moshave 2-10 vjeç.

FOTO GALERI
2/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA