Në Rajonin Verior ka pasur reshje dëbore me intesitet gjatë orëve të fundit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se po pastrohen me kripë akset: Kukës-Krumë dhe Kukës-Ura e Zapotit, në segmentin rrugor Dushaj-Sheshi i Trageteve-Lekbibaj në lartësinë mbi 700m, në Qafë Thore, në Vau i Dejes-Pukë-Kukës, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës, Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë-Tropojë-Shipshan-Sopot-Kërrnaje, Bajram Curri-Fierzë.
Po punohet gjithashtu për mbajtjen hapur të aksit Bogë – Theth, për t’i shërbyer turistëve.
Në qarkun e Dibrës reshjet e borës kanë rënë deri në lartësinë 400 metra mbi nivelin e detit, duke përfshirë edhe qytetin e Peshkopisë dhe Bulqizës. Disa akse rrugore janë bërë të pakalueshme, dhe konkretisht: aksi rrugor Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë: Bulqizë-Ura e Vashës-Qafë Murrizë;
Peshkopi-Kuben-Kukës.
Gjithashtu aksi rrugor bypass-Qafë Murrizë, është bërë i pa kalueshëm.
Si pasojë e reshjeve ka patur edhe një aksident me makinë në Bulqizë, si dhe bllokim të rrugës.
Reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe zonat malore në qarkun e Elbasanit. Në Steblevë të Librazhdit trashësia e dëborës ka arritur deri në 20 cm.
Raportohet se është bllokuar dhe Bypass-i i rrugës së Arbërit dhe se po punojnë për zhbllokimin e saj.
Drejtuesit e mjeteve duhet të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, si dhe të respektojnë sinjalistikën.
Sot moti paraqitet kryesisht i kthjellët por shumë i ftohtë. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të lehtë në vlerat minimale por rënie e ndjeshme e tyre pritet në vlerat maksimale duke luhatur vlerat ditore nga 2°C më e ulëta deri në 14°C më e larta në rang territori.
Top Channel