Shtëpia e Bardhë ofroi një pasqyrë të gjerë të asaj çfarë do të ndodhë me pengjet e liruar nga Hamasi pas gjashtë javësh të mbajtur në kushte “të neveritshme”.
Në pritje të një marrëveshjeje, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby u tha gazetarëve të martën se hapi i parë do të ishte kalimi i sigurt në Izrael, i ndjekur nga “vëmendja e menjëhershme mjekësore”.
“Ne duhet të supozojmë se shumë prej tyre kanë nevojë për një lloj kujdesi mjekësor dhe se ata po mbahen në kushte të neveritshme. Kështu atyre do t’u ofrohet një shans për të marrë kujdes mjekësor,” tha ai.
Disa nga pengjet, sugjeroi ai, mund të kenë nevoja mjekësore afatgjata. Edhe pse nuk pranoi të spekulonte mbi numrin ose kombësinë e grupit të mundshëm të pengjeve që mund të liroheshin, Kirby sugjeroi që pasi të sigurohet kujdesi mjekësor, do të ketë përpjekje për të riatdhesuar qytetarët në vendet e tyre të origjinës dhe për t’i lidhur ata me familjet e tyre.
Nëse do të përfshihen shtetas amerikanë në një lirim të mundshëm pengjesh, tha Kirby, pas dhënies së kujdesit mjekësor, Departamenti i Shtetit i SHBA do të ofrojë ndihmë.
“Departamenti i Shtetit do të sigurohet që ata të kujdesen për ta nga një perspektivë konsullore dhe të ofrojnë çfarëdo ndihme që mund t’u nevojitet për lëvizjet pasuese,” tha ai.
Kirby tha gjithashtu se Presidenti i SHBA Joe Biden ka qenë “personalisht i angazhuar në çuarjen përpara të procesit” ndërsa negociatat vazhdojnë.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare tha se presidenti “ka qenë në kontakt me ekipin e tij të sigurisë kombëtare dhe ekipin në terren që kanë ndihmuar në negocimin e kësaj marrëveshje çdo ditë, duke marrë përditësime mbi atë që po ndodh disa herë në ditë”.
Top Channel