Soko në “Top Story” për miratimin në parim të “Projekt Buxhetit 2024”: Secili doli i fituar në mënyrën e tyre, qytetarët të humbur

20/11/2023 21:52

Ekonomisti dhe aktivisti Pano Soko gjatë diskutimit në “Top Story” për miratimin në parim të “Projekt Buxhetit 2024”, deklaroi se ky vendim u morr në mënyrën e gabuar në mes të trazirave.

Sipas tij buxheti, ligji më i rëndësishëm që ka Shqipëria, kaloi ligjin në një ambient të tensionuar.

Soko shtoi se personat që ishin sot në Parlament fituan, secili në mënyrën e tij, ndërsa këmbënguli që të ndërtohen Komisionet Parlamentare.

“Buxheti është ligji më i rëndësishëm që ka Shqipëria. Kjo situatë që kaloi ligjin më të rëndësishëm, në një ambient me tym e të bërtitura. Për mendimin tim të humbur janë qytetarët. Pasi ata që janë aty kanë dalë të fituar në mënyrën e tyre. Disa me heshtje e disa me zhurmë e tension. Dhe qeveria sot kaloi në mënyrë të heshtur një ligj aq të rëndësishëm.

Pikëpyetja më e madhe që kemi sot është çfarë fiton me zhurmën që bën. Nëse ti ke një qëllim dhe mënyra që zgjedh t’i për t’ia arritur. Nëse qëllimi do të ishte vërtet ndërtimi i komisioneve që do të zbardhin aferat… Kjo nuk është rruga dhe këtë e dinë të gjithë. Kjo nuk është rruga, pasi nëse do të ishte arritur me flakadanë dhe zhurmë, do të ishin rregulluar të gjitha.

Komisionet Parlamentare duhen ndërtuar në çdo moment nuk ka nevojë të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese. Këtu ne flasim për rrugën. I gjithë ky show i turpshëm, nëse do të ishte ndjekur rruga institucionale, do të ishte mbaruar për një javë. Brenda asaj javë të do të ishin ndërtuar komisionet. Mua më shqetëson fakti që qëllimi në vetvete nuk është ndërtimi i komisioneve.

Këto skena shqiptarët i kanë refuzuar gjithë jetën. Komisioni Parlamentar furnizon SPAK-un me argumenta. Unë jam shumë i interesuar të ngrihet Komisioni Parlamentar. Qëllimi në vetvete është rruga. Presion më të thjeshtë se Gjykata Kushtetuese është zgjidhja dhe kjo është për juve”, tha Pano Soko.

Top Channel