Monedha kombëtare po i sfidon të gjitha valutat e tjera.
Dy muaj pas përfundimit të sezonit turistik veror, kur dhe flukset e pushuesve të huaj janë më të larta euro ka humbur pikë duke u këmbyer me 103.90 lekë. Ky është niveli më i ulët që nga mesi i gushtit dhe një rënie me 7% nga piku i tre muajve.
Dhe valutat e tjera, si dollari, franga zviceriane, paundi kanë humbur pikë duke u këmbyer në nivele më të ulëta gjatë kësaj jave.
Treguesit e bilancit të jashtëm të Bankës së Shqipërisë tregojnë se diferenca e parave që hynë dhe dolën në valutën është ngushtuar në 323 milionë euro, ndërsa më shumë investime të huaja, remitanca dhe para nga turistët erdhën gjatë këtij vit.
Një ndikues tjetër është oferta e ulët e lekut në qarkullim. Qeveria emetoi një Eurobond këtë vit prej 600 milionë eurosh, ndërsa suficiti në buxhet arriti vlerë rekord prej 51 miliardë lekësh. Edhe rritja e normës bazë nga BSH gjithashtu ka sjellë ndikim në treg.
Nënçmimi i euros me 15% gjatë këtij viti ka dhënë një kontribut të fortë në uljen e borxhit publik në nivelin 64%, por nga krahu tjetër ka goditur eksportet dhe të ardhurat buxhetore, ku nga TVSH në import u mblodhën 110 milionë euro më pak në 9 muaj.
Banka e Shqipërisë në raportin e politikes monetare parashikoi se euro do stabilizohet në këto nivele në periudhën në vijim.
Top Channel