Drogë nga Holanda dhe Shqipëria/ Shkatërrohet banda në Itali! 19 të arrestuar, mes tyre disa shqiptarë

16/11/2023 15:17

19 persona, shtetas italianë dhe shqiptarë, pjesë e një organizate që merrej me trafikun e drogës, kanë rënë në pranga.

Në operacionin e Guardia di Finanza, “Puzzle 2020” u sekuestrua lënda narkotike me vlerë 34 milionë euro, si dhe një million euro cash.

Nga të arrestuarit, 14 kanë përfunduar në burg dhe 5 në arrest shtëpie. Gjatë hetimeve, u arrestuan në flagrancë edhe 17 persona të tjerë, të cilët dyshohet se luanin rolin e korrierëve të drogës, në verilindje të Italisë dhe përgjatë bregdetit të Adriatikut.

Numri total i personave nën hetim është 65, raporton “La Gazzetta del Mezzogiorno”.

Droga vinte nga Holanda, përmes Gjermanisë dhe nga Shqipëria, në Itali, ndërsa sipas hetuesve, kreu i organizatës është një shtetas shqiptar me banim në Ponte di Piave (Treviso), identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur.

Hetimet nisën me arrestimin e një çifti në janar të 2020-ës, ku u sekuestruan dy kilogramë heroinë. Nëpërmjet analizave të tabulateve telefonike u zbërthye zinxhiri i trafikut të drogës, me dy baza logjistike në Veneton lindore, Eraclea dhe Venecia.

Top Channel