Berisha ‘lëshon pe’/ Depozitohet ankimimi i plotë kundër masës së sigurimit ndaj ish-kryeministrit

13/11/2023 16:42

Pak çaste përpara përfundimit të orarit zyrtar avokatët mbrojtës të ish- kryeministrit Sali Berisha dorëzuan në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme ankimimin e plotë ku kundërshtohen vendimet për masën e sigurimit personal “detyrim me paraqitje” dy herë në muaj për Sali Berishën.

Por këtë të hënë ftuesve të gjykatës u janë nevojitur minuta shtesë përtej orarit zyrtar, për t’ia dalë dhe për t’i vendosur në dispozicion të njëjtës palë dy vendimet e zbardhur të gjyqtares Irena Gjoka, për të cilët avokatët ishin shprehur gjatë javës së kaluar se nuk i disponojnë.

Për këtë arsye, por edhe të ankimimit të pjesshëm të mbrojtjes së ish-kryeministrit që ndërkohë kishin parashtruar se do të apelonin sapo të merrnin vendimet e zbardhura, dosja qëndroi e ngrirë në sekretari për 17 ditë.

Në orët e pasdites së vonë të së hënës, pasi provuan komunikimin telefonik, postën dhe trokitjen në derë, ftuesit ia kanë dalë mbanë të sigurojnë një firmë të Sokol Mëngjesit, që është njëri prej mbrojtësve të ish-kryeministrit.

Burimet thanë për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha se avokati ka konfirmuar se i mori këtë të hënë verdiktet e zbardhura. Bëhet fjalë për dy dokumente, njëri i 26 tetorit ku Berishës iu rivendos “detyrim paraqitje” në prani vetëm të avokates falas nga shteti dhe tjetri i 8 nëntorit ku Berishës iu refuzua shuarja e kësaj mase.

Tani që vendimet e Irena Gjokës  janë në dorën e mbrojtjes, pritet se cila do të jetë lëvizja e radhës e secilit, jo vetëm e avokatëve por edhe e SPAK. Me apelimin e plotë mbetet e qartë vetëm një lëvizje, ajo e gjykatës së shkallës së parë që brenda javës dërgon çështjen e masës për Malltezin dhe Berishën në Apel.

Ndërsa ka nisur numërimi mbrapsht për Berishën dhe për SPAK. Sërish të hënën që vjen datë 20 nëntor do të kuptohet nëse do të paraqitet apo jo para oficerit ish-kryeministri sipas urdhëresës gjyqësore.

Dhe në po këtë ditë në varësi të hapit që do hedhë Berisha është edhe SPAK , që do të kuptohet se çfarë lëvizje të të kryejë në rast se ish funksionari nuk do të paraqitet para oficerit. Pra nëse SPAK do të vendosë të presë edhe një të hënë tjetër, apo do të mjaftohet me dy mungesa dhe do të ashpërsojë qëndrim.

Kujtojmë se sh-kryeministri Sali Berisha, që po hetohet për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”, nuk e njeh vendimin e GJKKO-së për “detyrim paraqitje” dhe nuk është paraqitur në SPAK, pavarësisht lajmërimeve nga Prokuroria e Posaçme.

Javën e kaluar, përmes avokatëve mbrojtës, ai kërkoi shuarjen e masës “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, por GJKKO e rrëzoi këtë kërkesë.

Top Channel ka arritur të zbardhë ekskluzivisht vendimin e gjykatës për Sali Berishën dhe kalvarin e oficerëve për t’i dorëzuar masën ish-kryeministrit.

Top Channel