GJKKO vendosi rrëzimin e kërkesës së ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezit për shuarje të masës së vendosur.

Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha në një komunikim për mediat pas seancës tha se sot u konstatua një shkelje tjetër nga gjykata.

Gjokutaj: E dyta kërkesë për shkarkimin e gjyqtares, ia vlejti për të dokumentuar shkeljen e radhës së gjykatës do të jemi në kontakt, vendimi i zbardhur na u dha sot, vendimet janë të pa depozituara në sekretari, flisnin sikur ato vendime. Këta po i qëndrojnë shkeljes, rrëzohen të dyja kërkesat.  

“Gjykata vendosi 1. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/personit nën hetim Sali Berisha, me objekt: “Konstatim i humbjes së fuqisë së masave shtrënguese “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, caktuar ndaj deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Prof.Dr.Sali Berisha, Kryetarit të Opozitës” , si të pabazuar në ligj.2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. U shpall në Tiranë, sot, me datë 08.11.2023. Gjykata vendosi 1. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/personit nën hetim Jamarbër Malltezi, me objekt: “Konstatimi i humbjes së fuqisë së masës shtrënguese “arrest në burg” të caktuar sipas vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj Prof.Dr.Jamarbër Malltezi.”, si të pabazuar në ligj. 2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. U shpall në Tiranë, sot, me datë 08.11.2023”, sipas njoftimit.

Ish-kryeministri nuk e njeh vendimin e GJKKO-së dhe nuk është paraqitur në SPAK, pavarësisht lajmërimeve nga Prokuroria e Posaçme, por sot përmes avokatëve ai kërkoi shuarjen e masës “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Gjithashtu avokatët kërkuan edhe shuarjen e masës “arrest në burg” ndaj dhëndrit të tij, Malltezit me argumentin se vendimi i gjykatës nuk është zbardhur në kohën e duhur.

Avokatët e Berishës kërkuan gjithashtu përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila shpalli masat e sigurisë.

Të dy Berisha dhe Malltezi akuzohen për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim.

SPAK nuk ka vendosur ende se çfarë masash do të marrë, në një situatë ku Berisha nuk është paraqitur sipas vendimit të GJKKO-së, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Ai nuk pranoi të paraqitej këtë të hënë, duke e cilësuar masën në shkelje të Kushtetutës.

Top Channel