Inflacioni do jetë i paqëndrueshëm! Banka e Shqipërisë shpjegon pse rriti normat e interesit

12/11/2023 19:46

Banka e Shqipërisë ka dhënë vlerësimin e saj për rritjen e normave të interesit me 0.25% në vendimin e fundit për t’i dërguar në nivelin 3.25%.

Sipas Bankës së Shqipërisë presioni për rritjen e çmimeve po vjen nga tregu i brendshëm dhe po nxitet nga rritja e investimeve private, rritja e eksportit të shërbimeve, turizmit si dhe e investimeve të huaja. Në analizat e saj BSH vlerëson se bizneset rritën fitimet dhe pagat

“Kjo kërkesë e lartë për mallra dhe shërbime po shoqërohet si me rritje të lartë pagash ashtu edhe me rritje fitimesh që vërtetohet nga situata mjaft e mirë e likuiditeti të tyre. Kjo lëvizje ishte e domosdoshme për të kthyer inflacionin në objektiv dhe për të garantuar një ecuri më të qëndrueshme çmimesh. Ne presim që ekonomia shqiptare të vijojë të rritet, duke gjykuar kushtet ende stimuluese të financimit”- tha drejtori i politikës monetare Bankës së Shqipërisë, Erald Themeli.

Investimet private po udhëhiqen nga sektori i ndërtimit, ndërsa shërbimet nga aktiviteti i pasurive të paluajtshme. Në krah tjetër investimet publike po japin kontribut negativ, pasi ato janë tkurrur me 27%, por u rritën shpenzimet për personel dhe për borxhin publik. Në të njëjtën kohë janë ulur edhe eksportet, si në çmim dhe në volum.

Në fundvit pritet edhe rritje e çmimit të naftës, që mund të nxisë një valë tjetër inflacioni dhe të rrezikojë kthimin e saj në objektiv gjysmën e vitit të ardhshëm. Vala do të udhëhiqet nga çmimet e ushqimeve si mishi, perimet, frutat që kanë kontributin më të lartë në inflacion. Më shqetësuese mbetet rritja e kostove të punës për njësi. Ato u përshpejtuan me 7.1% në tremujorin e dytë të vitit, ndërkohë produktiviteti është ulur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA