Shtohen zjarret, por bien sigurimet/ Tregu i sigurimeve u rrit në 13.2 miliardë lekë, udhëheqin motoriket

27/07/2026 19:52

Në kulmin e sezonit veror, kur temperaturat e larta rrisin rrezikun për banesat, bizneset dhe pronat, sigurimi ndaj fatkeqësive natyrore shënon rënie.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 tregojnë se sigurimet vullnetare ranë me 0.3 për qind.

Brenda këtij segmenti, në rënie janë edhe sigurimet e pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës. Në të njëjtën kohë, dëmet e paguara në sigurimet vullnetare janë rritur me 23.51 për qind.

Pra, ndërsa kostoja e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimit rritet, sigurimi i pronës nga rreziqet natyrore nuk po ndjek të njëjtën tendencë.

Në tërësi, tregu i sigurimeve vijon të rritet, por ritmi i rritjes është ngadalësuar krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. Primet e shkruara bruto arritën në rreth 13.2 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 3.16 për qind, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 4.78 miliardë lekë, me një rritje prej 16.75%.

Rritja e tregut mbështetet kryesisht te sigurimet e detyrueshme, veçanërisht ato të lidhura me automjetet, ndërsa edhe aplikimi i sistemit bonus malus pritet të ketë dhënë efekte.

Në një treg ku rritja e përgjithshme po ngadalësohet dhe sigurimet vullnetare mbeten të dobëta, mbrojtja e pronës nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore mbetet një nga segmentet me kontrastin më të madh mes rrezikut dhe nivelit të sigurimit.

Top Channel