Rritja vjetore ishte 17,075 persona, vetëm 1.3% më shumë turistë erdhën një muaj më parë krahasuar me qershorin 2025, duke bërë që turizmi të zbehet në muajt e parë të kulmit të sezonit turistik.
“Patëm anulime nga disa shtete si Serbia, Gjermania, sidomos dhe nga Evropa që janë edhe treg kryesor…”, tha kryetari i Unionit Turistik, Rrahman Kasa.
Sipas Ministrisë së Turizmit, hyrjet nga Kosova ranë me rreth 52 mijë persona krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Edhe Maqedonia e Veriut duket se ka regjistruar rënie me 15,223 vizitorë më pak, Gjermania me 13,165, Turqia me 11,062 dhe Mali i Zi me 6,212 më pak.
Në turistët që po vizitojnë Shqipërinë, Evropa Jugore kontribuon me 66%, ndërsa Evropa Qendrore dhe Lindore me 14% të hyrjeve nga Evropa. Hyrjet në territorin shqiptar të shtetasve të huaj, në 98% të rasteve, janë për qëllime personale. Ndërsa për qëllime biznesi dhe profesionale kanë rënë edhe më tej në muajin qershor.
“Turistët besnikë vijojnë të frekuentojnë Shqipërinë, duke preferuar në këto muaj të vitit më së shumti bregdetin, por ka dhe nga ata që zgjedhin malet si Thethi, që mbetet i preferuar”, tha agjentja turistike Florinda Zani.
Vetë Ministria e Turizmit deklaroi se perceptimi për sigurinë në Shqipëri ndikoi në turizëm, teksa sipas institucionit, protestat, tensioni publik dhe imazhi negativ i transmetuar jashtë vendit kanë ndikuar në vendimmarrjen e turistëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.