SHBA 302 mln dollarë hua Shqipërisë për forcimin e mbrojtjes, Kuvendi miraton me votat e socialistëve projektligjin, opozita nuk merr pjesë në seancë

27/07/2026 16:13

Parlamenti i dha dritën jeshile, me 74 vota pro nga socialistët, huasë 302 milionë dollarëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për forcimin e kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë. 

Si rrallë herë Kuvendi mbylli dyert, duke ruajtur konfidencialitetin e dokumentit të nënshkruar me aleatin strategjik dhe pas 30 minutash diskutime erdhi sinjali që akti u miratua.

Me gjysmë salle bosh, ishin vetëm tre deputetë opozitarë Muçi, Shehaj dhe Kapri, të cilët braktisën momentin e votimit.

Socialistët i kishin numrat e nevojshëm për ratifikimin e marrëveshjes edhe të vetëm. Demokratët i qëndruan besnikë vendimit të paradites, se procedura e ndjekur ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

Taulant Balla mbrojti proceduren dhe marrëveshjen, pasi u vulos nga Kuvendi, por u tregua diskret në dhënien e detajeve, duke ruajtur sekretin e dokumentit.

Marrëveshja hyri në fuqi menjëherë, pasi edhe presidenti Bajram Begaj kishte dhënë dakordësinë e tij.

Top Channel