Shqipëria po vendos rregulla të reja për platformat online. Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për Shërbimet Digjitale”, i cili përafron legjislacionin shqiptar me Aktin Evropian për Shërbimet Digjitale. Me këtë ligj, platformat si Facebook, Instagram, TikTok apo tregjet online do të kenë më shumë detyrime për të mbrojtur përdoruesit dhe për të luftuar përmbajtjet e paligjshme.
Projektligji u kërkon platformave të krijojnë mekanizma të shpejtë për raportimin dhe heqjen e përmbajtjeve të paligjshme, të shpjegojnë arsyet kur fshijnë një postim apo bllokojnë një llogari, të publikojnë raporte transparence dhe të mbrojnë më mirë të dhënat personale, të miturit dhe konsumatorët.
“Projektligji sigurisht adreson problematika që lidhen me mungesën e një kuadri të posaçëm për rregullimin e shërbimeve digjitale, mungesën e detyrimeve të harmonizuara për platformat online, si dhe nevojën për mekanizma më efektivë për transparencën, mbrojtjen e përdoruesve, të dhënave personale të tyre dhe trajtimin e përmbajtjes së paligjshme të këtyre platformave”, tha ministri Enea Karakaçi.
Ndryshime parashikohen edhe në tregtinë elektronike. Çdo konsumator të mirinformohet se kush është shitësi, me qëllim uljen e rrezikut të mashtrimeve ose të shitjes së produkteve të paligjshme. Platformat që nuk do të respektojnë detyrimet e reja rrezikojnë gjoba, masa administrative, ndërsa në rastet më të rënda mund të kufizohet përkohësisht edhe qasja në shërbimet e tyre.
Ndërsa përdoruesit që pësojnë dëm si pasojë e shkeljes nga një platformë e detyrimeve të parashikuara në këtë ligj, kanë të drejtë të kërkojnë kompensim për atë dëm, sipas legjislacionit në fuqi.
Top Channel