Ndarja nga jeta e Raphael Dwamenës tronditi mbarë futbollin shqiptar, me sulmuesin 28-vjeçar të Egnatias që pësoi arrest kardiak në fushë, në ndeshje ndaj Partizanit dhe mbylli sytë përgjithmonë në spitalin e Kavajës, ku u dërgua për ndihmë mjekësore.

Lajmi shokoi mbarë opinionin sportiv dhe jo vetëm, teksa i menjëhershëm ishte reagimi i FSHF-së:

Federata Shqiptare e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për tragjedinë e ndodhur sot gjatë ndeshjes së javës së 13-të të “Abissnet Superiore”, Egnatia-Partizani. Futbollisti Raphael Dwamena ka humbur ndjenjat gjatë ndeshjes dhe pas ndërhyrjes së parë të mjekëve në fushën e lojës është transportuar me ambulancë për në spital. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve specialistë dhe të gjitha përpjekjeve të mëpasshme për ta rikthyer në jetë, futbollisti për fat të keq ka ndërruar jetë.

FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Dwamena dhe klubit të Egnatias për këtë humbje të madhe dhe ngjarje që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar. Federata e Futbollit bën me dije se të gjitha ndeshjet e programuara për këtë fundjavë në të gjitha kampionatet e futbollit në Shqipëri do të shtyhen në një moment të dytë”.

Të të gjithë klubet e Superiores shprehën ngushëllimet për ndarjen nga jeta të sulmuesit 28-vjeçar ganez…

“Sulmuesi i Egnatias, Rafael Duamena humbi jetën pas kolapsit që pësoi në fushë gjatë ndeshjes me Partizanin“, shkruan KF Egnatia.

Moment i dhimbshëm për futbollin shqiptare: Raphael Dwamena ka ndërruar jete! Klubi i Vllaznisë shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së lojtarit dhe solidarizohet me këtë moment tragjik për të gjithë ne, me klubin e Egnatias. Zoti e mëshiroftë“, shkruan në reagim KF Vllaznia.

“Klubi i Futbollit Tirana i shpreh tronditjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta familjes Dwamena për ndarjen e parakohshme nga jeta të sulmuesit të KF Egnatia. Kjo është një ngjarje që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar”, thuhet në reagimin e klubit të Tiranës.

“Klubi Partizani, Presidenti Demi dhe gjithë familja e kuqe shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe Klubit të Egnatias për ndarjen nga jeta të sulmuesit Raphael Dwamena. Bashkohemi me dhimbjen tuaj në këtë moment tragjik për të gjithë futbollin shqiptar“, shkruan klubi i Partizanit.

“Klubi i Skënderbeut solidarizohet me humbjen e madhe të futbollistit! I shprehim ngushëllime Egnatias dhe familjarëve të lojtarit! Ndeshja e sotme me Teutën është anuluar në nderim dhe respekt të Dwamenës“, është reagimi i Skënderbeut.

“Të shokuar nga ngjarja tragjike e humbjes së jetës së lojtarit të Egnatias, Raphael Dwamena…
FC Dinamo City dhe presidenti Adrian Bardhi i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes së lojtarit për këtë humbje të madhe! Ngushëllime edhe për klubin e Egnatias për këtë goditje të rëndë!
U prehsh në paqe Raphael Dwamena“, shkruan Dinamo.

Top Channel