“Italia ka gjetur Ramën që është i gatshëm”/ Analiza e Shehit në “Top Story”: Zgjidhja ishte e bujshme

09/11/2023 21:48

Politikani Dashamir Shehi, i ftuar në “Top Story”, bëri një analizë në lidhje me marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët.

Ai e konsideron vendimin e kryeministrit Edi Rama një gjest personal ndaj Italisë dhe udhëheqëses së saj. Sipas këndvështrimit të tij, Shehi sqaroi se u kërkua nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni të gjendej një zgjidhje, e cola rezultoi të ishte e bujshme.

Kjo zgjidhje ishte pakti me Shqipërinë, ku politikani ndër të tjera shtoi se ia arriti qëllimit pasi mediat e Italisë po flasin vetëm për vendin tonë.

“Kjo është një gjë e mirë dhe duhet të jetë serioze, por më shumë është një gjest personale i zotit Rama, por edhe kundrejt vetë Melonit. Do ta shohim që nuk e zgjidh kjo gjë, punën e Italisë. Ky është një problem i madh i Italisë. Qeveria italiane ka bërë dy-tre tentativa për të gjetur zgjidhje, përtej Italisë, pra globale. Tani është agravuar dhe është bërë një problem politik në Itali.

Në maj të vitit që vjen do të bëhen zgjedhjet europiane dhe ky vend kërkon të konfirmojë votat. Duhet të gjejmë një zgjidhje që të jetë e bujshme. Ka dy-tre ditë që nuk pushojnë mediat italiane. Ky është një problem edhe i Italisë me vendet e tjera, Francës e Gjermanisë, pasi duhet të rregullohen me dokumente.

Italia ka gjetur zotin Rama që është i gatshëm, mjafton të jetë protagonist i zhurmës kombëtare. Por nuk mendoj që kjo është ndonjë favor i madh për Italinë. Do ta doja të ishin zinxhirët turistikë, ekonomikë, bankat e Italisë. Italia ekonomike që duhet ishte prezentë këtu. Kjo është Italia që më mungon mua. Kjo zhurma do të mbarojë pas një jave. Shqipëria do ta kalojë këtë racizëm, e cila ka ardhur si pasojë e izolimit dhe varfërisë”, tha ai.

Më pas Dashamir Shehi u shpreh se Shqipëria ofrohet si vendi zgjidhjes sa herë që ndërkombëtarët kanë probleme.

“Është krijuar një diskutim. Sa herë që kanë ndonjë hall ne afrohemi për t’i zgjidhur, për të bërë një farë zhurme. Ne duam që Italia të jetë prezent këtu dhe duhet të jetë. Kjo lloj marrëdhënie me Italinë, do të ishte shumë më të bukur, se t’i kishim dhënë Italisë Portin e Durrësit, se sa t’i japim Shëngjinin që të zbarkojnë emigrantët”, deklaroi politikani.

 

Top Channel