Transporti i naftës përmes linjës hekurudhore ka reduktuar ndjeshëm gjurmën e operacioneve hidrokarbure në mjedis.
Trasheja hekurudhore prej 35 km e gjatë, që lidh nënstacionin e grumbullimit të naftës të Bankers Petroleum Albania me portin e Petroliofera-s në Vlorë, është linja e vetme e eksportit të krudit në tregjet e huaja.
Sot shënohen 5 vite që nga nisja e trenit të parë në këtë linjë dhe sipas të dhënave të kompanisë, janë shënuar mbi 4.050 rrugë nga nënstacioni i naftës së Bankers drejt në Petrolifera.
Përdorimi i hekurudhës për transportin e naftës në vend të autoboteve ka një efekt pozitiv në reduktimin e emetimeve të gazeve të efektit serë me pothuajse 60%.
Për 5-vjeçarin që është përdorur hekurudha, emetimet në ajër nga transporti i naftës janë të përllogaritura në 3000 ton CO2e, në vend të 7000 ton CO2e që do të ishte nëse do të përdoreshin autobote.
“Qëllimi ynë nuk është vetëm zvogëlimi i kostove të transportit të naftës, por mbi të gjitha, ulja në minimum e gjurmës në mjedis dhe rritja e sigurisë gjatë gjithë operacioneve tona. Është një fakt që transporti me tren nuk ka regjistruar asnjë ngjarje dhe ofron siguri më të lartë për çdo punonjës që punon në këtë aktivitet“, thonë përfaqësuesit e Bankers.
Sipas kalkulimeve të kompanisë, para transportit të naftës së bruto nga nënstacioni i naftës në Petroliferë bëhej përmes një numri total prej mbi 10 mijë kamionëve në vit, ndërsa sot nuk ka lëvizje përmes tyre.
Në total, gjatë 5 viteve të fundit, Bankers ka mundur të zerojë transportin me bote të naftës, çka do të thotë mbi 50 mijë bote nafte më pak që prej vitit 2018. Qarkullimi i këtyre mjeteve jo vetëm ka reduktuar pluhurin në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, por ka mundësuar edhe rënie të trafikut në aksin Fier-Vlorë, i cili është shumë i ngarkuar gjatë sezonit turistik.
Tubacioni me gjatësi prej 11.3 km për transportin e naftës nga fusha e Patos-Marinzës në nënstacionin e grumbullimit të naftës të Bankers Petroleum Albania në Fier ka shmangur përdorimin e autoboteve për transport për një gjatësi rruge prej 17 km me një impakt tejet pozitiv në mjedis.
Bankers Petroleum Albania është prodhuesi më i madh në vend, duke dominuar mbi 90% të naftës totale shqiptare. Pjesa më e madhe e kësaj nafte bruto eksportohet në tregjet e huaja. Kompania është gjithmonë e gatshme të investojë në shërbime dhe teknika që zvogëlojnë kostot, ndotjen dhe përmirësojnë standardet.
-60% më pak emetime gaze efekti serë
-4050 rrugë transporti me tren janë shënuar në 5 vitet e fundit
-50,000 mijë bote & kamionë më pak gjatë aksit Fier-Vlorë
Top Channel