15-vjeçari nga Cerriku fiton Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, Loris Qosja shkëlqen në SHBA
Projektligji “Dëftesa Tregtare”, i cili synon t’u mundësojë fermerëve të përdorin prodhimin bujqësor si kolateral për të marrë kredi, u diskutua këtë të martë në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.
Gjatë diskutimeve, deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, e kundërshtoi projektligjin, duke deklaruar se ai nuk e ndihmon dhe nuk e zhvillon bujqësinë shqiptare, pasi sipas tij një pjesë e madhe e tokës bujqësore vijon të jetë e pacertifikuar.
“Sa për qind e sipërfaqes bujqësore është e certifikuar dhe e hipotekuar? Rreth 70% e tokës nuk vaditet, ndërsa ju kërkoni certifikimin, kur ende nuk është zgjidhur problemi i ujitjes”, u shpreh Mziu.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Bujqësisë, Fatmir Guri, sqaroi se projektligji nuk synon të zgjidhë të gjitha problematikat e sektorit.
“Ky ligj nuk i zgjidh të gjitha sfidat e bujqësisë shqiptare”, tha ai.
Debati mes palëve u tensionua, ndërsa kryetari i Komisionit të Bujqësisë, Blendi Klosi, kërkoi ruajtjen e etikës gjatë diskutimeve.
Mziu këmbënguli se projektligji nuk mund të funksionojë pa një skemë sigurimi për prodhimin bujqësor.
“Vendet e rajonit aplikojnë primin e sigurimit, ndërsa ju nuk ofroni zgjidhje. Keni sjellë ligjin për ‘Dëftesën Tregtare’, por jo mekanizmat për dëmshpërblimin dhe subvencionimin e fermerëve për primin e sigurimit”, deklaroi deputeti demokrat.
Në përgjigje, zëvendësministri Guri theksoi se projektligji ka një objektiv të qartë.
“Ligji që kemi sjellë mundëson përdorimin e dëftesës tregtare si kolateral për financim. Nuk është ligj për sigurimin e prodhimeve bujqësore”, u shpreh ai.
Mziu vijoi kritikat, duke argumentuar se, pa sigurimin e prodhimit, fermerët do të mbeten të ekspozuar ndaj rreziqeve dhe do ta kenë të vështirë të përfitojnë nga skema e re.
Pavarësisht debateve, projektligji “Dëftesa Tregtare” u miratua në fund nga anëtarët e Komisionit, pa regjistruar asnjë votë kundër.
Top Channel