“Shqipërisë i mungojnë kinematë”/ Ledion Liço në “Top Story”: Filmat artistikë financohen nga paratë e komedive!

06/11/2023 22:11

Historia e kinematografisë në vendin tonë shtrihet kryesisht gjatë diktaturës komuniste, ndërkohë që gjatë tranzicionit ka vazhduar me intensitet më të ulët.

Gjatë viteve të fundit, producentë dhe regjisorë janë duke eksploruar në një treg që ka shumë hapësirë por pak mbështetje. Filmi më i fundit është prodhimi i “Top Channel Films”, komedia “Në kuadër të dashurisë”, që deri më tani ka realizuar sukses.

Por, tregu kinematografik duket i vështirë dhe me probleme. Në një diskutim sonte në “Top Story”, regjisorët dhe producentët e ftuar tregojnë si funksionon tregu në Shqipëri dhe Kosovë.

Producenti Ledion Liço, shpjegon se filmat jo artistikë që prodhohen në vend, janë të detyruar të paguajnë një përqindje për çdo biletë të shitur, fakt që shkakton debat, sipas tij.

“Ju duhet të dini që për çdo biletë që këto elitat artistike i quajnë joartistikë, për çdo biletë të shitur, Qendra Kombëtare Kinematografike merr 1 për qind të asaj bilete. Që do të thotë, filmat artistikë në këtë vend, bëhen me paratë e Ermal Mamaqit dhe në rastin e këtij viti, me paratë e ‘Top Channel Films’. Kjo ha debat”

Producenti dhe aktori Ermal Mamaqi shton se kjo pagesë është akoma më e lartë në Kosovë:

“Po, është e vërtetë, e vjel një lekëshin dhe është e deklaruar një për një. Kosova madje e ka më shumë”.

Një tjetër problem, sipas të ftuarve, janë sallat e kinemave. Liço tregon se përveç Tiranës, në qytetet e tjera shqiptare, ose mungojnë sallat e kinemave ose nuk funksionojnë sipas standardeve botërore.

“Tani që flasim, kemi a s’kemi katër qytete me salla funksionale kinemaje. Kosova besoj është më mirë, ku përveç Prishtinës, Gjakova ka kinema të niveleve botërore. Prizreni po ashtu, edhe salla të tjera që hapin. Ndërsa në Shqipëri, i vetmi qytet me salla të standardeve botërore, është Tirana. Mund të kemi vetëm gjëra që i përafrohen një kinemaje në qytete të tjera”.

Top Channel