Regjisori dhe skenaristi, Cukali në “Top Story”: Kur shkruaj, mendoj një skenar filmi që nuk do shumë para

06/11/2023 22:01

Skenaristi dhe regjisori, Koloreto Cukali, gjatë diskutimit në “Top Story” për epokën e re të filmit shqiptar, tregoi më tepër detaje.

Ai foli për vështirësitë që skenaristët dhe regjisorët shqiptarë hasin për të realizuar filmin që duan dhe në fund për shkak të pengesave bëjnë filmin që munden.

“Shpesh jam i detyruar që kur shkruaj të mendoj edhe si producent, për të gjetur një zgjidhje. Jo për të lënë një skenar në sirtar, por për ta realizuar me shumë pak lek. Kjo të kufizon në mënyrën e të shkruarit, është më e vështirë sepse ti mendon të bësh një film me pak para.

Një film për Skënderbeun është bërë nga rusët në ‘60, sepse kishin fuqi ekonomike të madhe për ta bërë. Edhe kuajt i kanë sjellë nga Rusia në atë kohë”, tregoi regjisori.

Cukali u shpreh se mundësitë e Shqipërisë për të bërë një prodhim kinematografik me kosto të lartë janë thuajse të pamundura.

“Mundësitë e Shqipërisë për të bërë gjëra të mëdha me buxhet të madh, janë shumë të vogla, për të mos thënë zero”, tha ai.

 

Top Channel