Producenti i filmit “Në kuadër të dashurisë”, Ledion Liço, gjatë një diskutimi në “Top Story” për kinematografinë në Shqipëri, u shpreh se politikat që ndiqet në vendin tonë janë të gabuara.

Sipas tij, duhet një bashkëpunim më i mirë mes atyre që prodhojnë filma artistikë dhe atyre që prodhojnë filma autorë. Mbështetja për njëri-tjetrin, është në të mirë të të dyja palëve, tha Liço, pasi njerëzit mësohen me kinemanë.

 “Problemi kryesor është politika në tërësi. Pra, çfarë rregulla loje duhet të kemi për të ardhmen në mënyrë që gjërat të rregullohen dhe të gjitha palët, dhe ato artistike, dhe ato komerciale, të jenë të trajtuara në mënyrë të barabartë. Ky është diskutimi që duhet bërë nga të dyja palët. Të mendosh që pala komerciale është më mbështetëse, në krahasim me ato që janë filmat autorë. Në përgjithësi, producentët e autorët e filmave autorë, kanë një sjellë më ‘jo mbështetëse’ karshi njëri-tjetrit, krahasuar me pjesën tjetër. Neve na bëhet qejfi, kur një film i Ermal Mamaqit ecën. Kjo tregon që publiku do të shkojë në kinema. Sa më shumë njerëz të shkojnë në kinema, aq më mirë është”.

Nisur nga promovimi i komedisë “Në kuadër të dashurisë”, që u dha premierë në qytete kryesore të Shqipërisë, Liço tregoi se disa qytete nuk kanë kinema fare dhe disa të tjera kanë kinema jofunksionale.

“Fatmirësisht, Shkodra ka një kinema. Ka një kinema funksionale, ku gjithsesi mund të vihet dorë për t’u bërë më mirë, por të paktën ekziston struktura e një kinemaje normale. Në Korçë, e kemi projektuar kinemanë në Teatrin e Korçës. E njëjta gjë edhe në Vlorë. Për shkak të kostove financiare, ne nuk mund të rrimë me muaj në këto qytete për të ndërtuar infrastrukturën. Mund të rrimë vetëm me disa ditë. Me sa kam parë, Kosova është pak më mirë. Prishtina ka më shumë salla se Tirana”.

Kinematë, u shpreh producenti, u shkatërruan pas rënies së komunizmit dhe ende nuk janë ndërtuar kinema sipas standardeve të kërkuara.

“Edhe Shkupi është një problem më vete. Të gjitha vendet që kanë dalë nga konflikti i Ballkanit në vitet ’90, çdo gjë të mirë që trashëguan nga pikëpamja infrastrukturore, e prishën. Unë kam qenë dëshmitar në qytetin tim të lindjes. Erseka ka pasur një kinema shumë të mirë, e cila në fillim të viteve ’90 u bë vend ku masturboheshin me fila pornografikë të projektuar ne beze dhe më vonë nuk e di çfarë u bë me të”.

Liço propozon të bëhet një “pani masash për të ndërtuar salla kinemaje, të paktën në qytetet kryesore”.

Top Channel