Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se në 9 nëntor do të organizohet në Paris një konferencë donatorësh për Rripin e Gazës, ku gjendja e popullsisë civile rëndohet dita-ditës.

Lufta kundër terrorizmit, tha shefi i Elizesë, nuk duhet të justifikojë sakrifikimin e civilëve”. Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme në Paris në konferencën e donatorëve janë ftuar përfaqësues nga vendet e BE, ai i Gjirit si edhe vende grupi i G20-s, Ligës Arabe dhe organizata të ndryshme humanitare.

Takimi do të ketë në fokus furnizimin e zonave palestineze me ushqim, medikamente dhe energji, por edhe evakuimin e të plagosurve përmes rrugës detare. Edhe pse është informuar për nismën franceze, Izraeli vetë nuk do të marrë pjesë në konferencë. Bazë për organizimin e ndihmave janë vlerësimet e Kombeve të Bashkuara, thuhet në Paris.

Kushti është që ndihmat humanitare të mos bien në duart e Hamasit. Jordania ndërkohë pret sot Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite, Katarit, Emirateve të Bashkuara, Egjiptit si edhe përfaqësues të palestinezëve.

Sipas të dhënave konsultimet përqendrohen të kërkesa e vendeve arabe për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve në Rripin e Gazës dhe furnizimin e popullsisë me ndihma humanitare. Po ashtu do të diskutohen edhe mundësitë për shtensionimin e situatës për të mos rrezikuar sigurinë e rajonit.

Top Channel