‘Na lodhi kjo lufta në Ukrainë’/ Giorgia Meloni bie pre e intervistës së rreme nga komedianët rusë (fotot)

02/11/2023 16:59

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka diskutuar pikëpamjet e saj zyrtare të konfliktit në Ukrainë dhe mungesën e mbështetjes për Italinë mbi emigracionin, në një bisedë qesharake telefonike me dy humoristë rusë që hiqeshin se zyrtarë të Unionit të Kombeve Afrikane.

Telefonata skandaloze 13-minutëshe e publikuar dje online nga komedianët e njohur rusë Vovan e Lexus, të cilët kanë gënjyer dhe liderë të tjerë në të shkuarën, duket se daton prej muajit të shkuar.

Stafi Melonit tha në një deklaratë se ndjehej keq që ishte gënjyer nga mashtruesi që hiqej si kreu i Unionit Afrikan.

Zyra e kryeministres tha se telefonata kishte ndodhur më 18 shtator, kur teksa pyetej për luftën në Ukrainë, Meloni i tha në anglisht bashkëbiseduesve: “E kuptoj që ka njëfarë lodhjeje me këtë luftën në Ukrainë, nga të gjitha palët. Jemi pranë momentit kur të gjithë po e kuptojnë se nuk duam të merremi më me të”.

“Por problemi është të gjejmë një mënyrë të pranueshme për ta bërë pa dëmtuar ligjin ndërkombëtar”.

Ndërsa duke folur për pozitën e Italisë si vendi i pritjes së valës masive të emigrantëve të jashtëligjshëm nga Afrika Veriore, Meloni ankohej se partnerët ndërkombëtarë nuk po bëjnë shumë për të ndihmuar Italinë.

“Ata mendojnë se Italia duhet ta zgjidhë e vetme, që është një mënyrë idiote të menduari”, tha ajo.

Humoristi Lexus, ose Alexei Stolyarov, pranonte se Meloni ishte të paktën dikush që ndante opinionet e saj të vërteta.

“Për fat të keq, ndryshe nga ajo, shumica e liderëve evropiane flasin si robotë të programuar që shprehin vetëm fjalë të lejuara në rrethet e tyre”, tha ai për agjencinë Reuters.

Ndërsa ai fliste, kolegu Vovan dëgjonte në telefonatën me Meloni.

Megjithse mashtrimi i fundit nuk nxorri shumë skandale në dritë, komedianët rusë në fund të vitit të shkuar gënjyen kryeministrin polak duke e bindur se po fliste me presidentin francez Macron, pas shpërthimit të një rakete ukrainase brenda Polonisë.

Përsëri me liderin polak Duda dyshja e frikshme kishin bërë një bisedë ‘zyrtare’ në 2020 duke e bindur se po flisnin me kreun e OKB.

Ndërsa në prill dyshja Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov diskutuan çështje të ekonomisë globale me kreun e bankës qendrore të SHBA Jerome Powell, i cili besonte se po fliste me Volodimir Zelenski.

FOTO GALERI
3/4
Në fund të vitit të shkuar gënjyen kryeministrin polak duke e bindur se po fliste me presidentin francez Macron

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA